Gjykata e Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpreh skepticizmin e saj që Kolorado ka fuqinë për të hequr ish-presidentin Donald Trump nga votimi paraprak republikan për shkak të veprimeve të tij në përpjekje për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.
Nëntë gjyqtarë dëgjuan argumentet për rreth dy orë se shtetet nuk kanë një rol në vendosjen nëse një kandidati presidencial mund të ndalohet të kandidojë sipas një dispozite të Amendamentit të 14-të të Kushtetutës për të parandaluar që ish-funksionarët të cilët u përfshinë në kryengritje të mbanin përsëri postin.
Ish-avokati i përgjithshëm i Teksasit Jonathan Mitchell që përfaqëson ish-presidentin amerikan Donald Trump në fjalën hapëse u shpreh se vetëm Kongresi mund të skualifikojë një kandidat. “Vendimi i Gjykatës së Lartë të Kolorados është i gabuar dhe duhet të anulohet për shumë arsye”, tha Mitchell, duke shtuar se ai do të anulon votat e dhjetëra miliona amerikanëve që votuan për Trump.
Gjyqtarët konservatorë dhe liberalë shprehën shqetësim për shtetet që arrinin në përfundime të ndryshme nëse një kandidat mund të kandidonte dhe disa treguan se vetëm Kongresi mund të zbatonte dispozitën në fjalë. Votuesit e Kolorados ngritën një padi duke thënë se Trump duhet të ndalohet për shkak të përpjekjeve të tij për të sfiduar rezultatet e zgjedhjeve të 2020 në ngjarjet që çuan në sulmin e 6 janarit në Kapitol.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts paralajmëroi se nëse vendimi i Kolorados mbahet në fuqi, ai mund të vendosë një përparësi për shtetet e tjera që të skualifikojnë kandidatët. Gjykatësit vunë në dukje se vendimi i Gjykatës së Lartë të Kolorados për të hequr Trump nga fleta e votimit mund të vendosë në mënyrë efektive këtë çështje për shumë shtete të tjera. Gjykata e këtij shteti vendosi se emri i Trump nuk duhet të figurojë në fletët e votimit për zgjedhjet paraprake republikane në këtë shtet, në 5 mars.
Vendimi i Gjykatës së Lartë të Kolorados shënon herën e parë që seksioni 3 i Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së SHBA, ashtuquajtura klauzola e skualifikimit, është përdorur për të konsideruar një kandidat presidencial të papërshtatshëm.
Ndërkaq në fillim të kësaj jave edhe gjykata e Apelit vendosi se ish-presidenti DonaldTrump nuk gëzon imunitet nga ndjekja penale për akuzat e përmbysjes të rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020.Kjo është një nga 4 çështjet penale me të cilat përballet ish-Presidenti DonaldTrump. Së fundmi ish presidenti amerikan korri një fitore në zgjedhjet paraprake në Nevada, një fitore që u garantua kur rivalja e tij e ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, zgjodhi të mos konkurronte për delegatët e shtetit. Ish-presidenti tani ka fituar të tre garat në Iowa dhe New Hampshire duke forcuar pozitat e tij si kandidati kryesor i Partisë Republikane.
Klan News