Krahas reformave në sistemin gjyqësor, teknologjinë informatike dhe thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve të dy vendeve, në takimin e Ministrit të Drejtësisë së Republikës së Turqisë, Jilmaz Tunç dhe homologut të tij nga Maqedonia e Veriut, Krenar Lloga, është biseduar edhe për procedurën e ekstradimit të Lupço Palevskit, thuhet në një komunikatë nga Ministria e Drejtësisë.
“Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, nga kolegu i tij turk është njoftuar se, procesi gjyqësor për Palevskin ka përfunduar dhe pritet të përfundojnë edhe procedurat administrative. Pas përfundimit të pjesës administrative, Palevski pritet të ekstradohet në vendin tonë. Ministri Lloga e falënderoi ministrin Tunç, për reagimin e shpejtë të tyre dhe arrestimin e Palevskit dhe theksoi se, kjo është shenjë e mirë për shoqërinë, të dënohen ata që kanë kryer krime”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Të dyshuarit të parë, Lupço Palevskit, I ka skaduar paraburgimi I përkohshëm 40-ditor në Turqi dhe pritet të përfundojë procedura e ekstradimit. Ai duhet të përgjigjet para organeve hetuese të vendit për vrasjen e 14-vjecares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit, Pançe Zhezhovski.
Ndërkohë, pesë të dyshuarve tjerë që llogariten si bashkëpjesëmarrës në vrasjet makabre dhe rrëmbimin, u është vazhduar paraburgimi edhe për 30 ditë./tvklan.mk