Hamasi i është përgjigjur propozimit kornizë për një armëpushim të ri në Gaza.
Ndonëse detajet e marrëveshjes, të përcaktuara nga ShBA-të, Izraeli, Katari dhe Egjipti nuk janë bërë publike, është raportuar se marrëveshja përfshinte një armëpushim gjashtë-javor.
Në lidhje me armëpushimin e mundshëm, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili ndodhet në Lindjen e Mesme, tha se përgjigjen e Hamasit do ta diskutojë sot me zyrtarë të Izraelit, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Blinken nuk dha detaje se si e sheh përgjigjen e Hamasit, por presidenti i ShBA-së, Joe Biden, tha se udhëheqja izraelite nuk do të pajtohet lehtësisht me kërkesën e Hamasit.
Për armëpushimin ka folur një zyrtar i lartë i Hamasit, ku tha se grupi kishte paraqitur një vizion pozitiv, por kishte kërkuar disa ndryshime në lidhje me rindërtimin e Gazës, kthimin e banorëve të saj në shtëpitë e tyre dhe ndryshimin në lidhje me trajtimin e të plagosurve, duke përfshirë edhe transferimin në spitale jashtë vendit.
Ndërsa, kryeministri i Katarit Sheikh Mohammed Bin Abdulrahman al Thani e ka përshkruar përgjigjen e Hamasit si “pozitive” në përgjithësi.