Donald Trump nuk ka imunitet presidencial dhe mund të procedohet penalisht për çështjen e ndërhyrjes në zgjedhje, ka vendosur gjykata amerikane e apelit.
Gjykata vendosi se nuk ka asnjë bazë për Trump që të pohonte se ish-presidentët kanë imunitet të plotë nga procedimi për aktet e kryera gjatë kohës së ushtrimit të funksionit.
Vendimi do të thotë se ai mund të procedohet për veprimet e ndërmarra brenda Shtëpisë së Bardhë dhe përpjekjes për të rimarrë kontrollin pas humbjes së zgjedhjeve së 2020 me hyrjen e një grupi mbështetësish të tij në Capitol Hill më 6 janar 2021.
Kjo është hera e dytë që gjykatësit refuzojnë deklaratat e tij se nuk duhet të procedohet penalisht. Gjykatësit ishin skeptikë ndaj kësaj. Gjykatësja Florence Pan tha se përmes imunitetit një president mund të shesë sekrete shtetërore ose të urdhërojë vrasjen e një rivali politik pa u shqetësuar për procedimin penal.
Trump, i cili është favorit për t’u nominuar që të garojë sërish në nëntor, pritet të apelojë dhe çështja mund të dërgohet në Gjykatën e Lartë.
Data e gjyqit nuk është vendosur ende, edhe pse më parë ishte caktuar për muajin e ardhshëm por u shty sërish gjatë javës së shkuar.
Data është shumë e rëndësishme sepse zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohen në nëntor.