Në një konferencë për shtyp, këshilltarët e BDI-së në komunën e Tetovës kanë akuzuar komunën se disa rrugë vazhdojnë të jenë në gjendje të mjerueshme dhe Komuna nuk po merr masa.
“Rruget si KRD, rruga te Burgu i Tetovës dhe rruga 108 vazhdojnë të jenë në gjendje të mjerueshme,edhe pas asfaltimit sa për sy e faqe të tyre. Amaterizmi dhe qëllimet e këqija të kësaj administrate komunale nuk kanë fund. Nuk kanë kaluar as tre muaj që kur janë shtruar rrugët e lartëpërmendura, sot përsëri janë shkatërruar dhe qytetarët vuajnë pasojat.
Pyesim administratën e komunës dhe kryetarin, se cili është qëllimi që rrugët duhet të shtrohen nga dy herë, dhe kush përfiton nga ky mashtrim? Qindra-mijëra euro përsëri do merren nga buxheti i qytetarëve për të asfaltuar rrugë që tashmë janë asfaltuar para tre muajve. Edhe ato punë që janë bërë në rregull në Tetovë, janë realizuar nga Ministria e Transportit dhe jo nga komuna, që çdo ditë tenton ti përvetësojë meritat. Një thënie popullore e përshkruan më së miri punën e administratës komunale dhe të kryetarit Kasami: Puna e natës, gazi i ditës!” – thonë nga BDI-dega Tetovë. /tvklan.mk.