SHBA: Mos tërheqja ndikon në partneritetin tonë
Ministri gjerman i Mbrojtjes ka vizituar Kosovën me një kërkesë të qartë, që të shtyhet zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për një afat më të gjatë.
Ai zhvilloi takime të ndara me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Në një konferencë të përbashkët me presidenten duke i dhënë të drejtë Kosovës për zbatimin e rregullores ai tha se nevojitet që kjo rregullore të komunikohet në mënyrë më të përshtatshme, që askush të mos ketë frikë.
“Marrë parasysh tensionet aktuale me Serbinë dhe pakicën serbe në Kosovë, bëjmë thirrje qartë për maturi dhe kujdes”, tha Boris Pistorius, ministër i Mbrojtjes së Gjermanisë.
Presidentja Osmani tha se janë në koordinim me faktorin ndërkombëtar për gjetjen e rrugëve efektive për zbatimin e rregullores së BQK-së, ndërsa tha se me kryeministrin e kanë qëllimin e përbashkët.
Ndërsa ambasadori amerikan në Kosovë sërish ka takuar kryeministrin Albin Kurti. Insiston në shtyrjen e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.
“Ne besojmë që Qeveria do të jetë partner ynë në këtë çështje. Nëse ajo vendos ndryshe atëherë kjo do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”, tha Jeffrey Hovenier.
Në takim ishin edhe ambasadorët e tjerë të vendeve të QUINT-it. Në shenjë pakënaqësie serbët e zhvendosur nga Kosova vendosën një bllokadë për tri orë radhazi në Rudare, në jug të Serbisë, afër pikës kufitare në Merdare.
Tv Klan