Gjendet një plumb në shtëpinë e Arben Taravarit

ZHVILLIMET NË ASH

Pas përplasjeve të fundit brenda-partiake në ASH, mëngjesin e sotëm është gjetur një plumb në shtëpinë e kryetarit të partisë, Arben Taravari. Ngjarja është raportuar në polici dhe ekipet të SPB Tetovë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekspertizë.

“Sot (05 shkurt) në ora 09:34, J.J.(42) nga Gostivari ka raportuar në SPB- Tetovë se para derës së hyrjes së shtëpisë së A.T.(50) në Gostivar, është gjetur një plumb i një arme automatike të kalibrit 7.62 milimetra.  Një ekip nga SPB Tetovë – Departamenti për Punë të Brendshme Gostivar ka kryer ekspertizë në vendin e raportuar, plumbi i gjetur është foto-dokumentuar dhe është dërguar për ekspertizë. Po merren masa për zbardhjes dhe dokumentimin e plotë të rastit”, thonë nga SPB Tetovë.

Në lidhje me kërcënimin, ka reaguar ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, nëpërmjet një kumtese, duke e dënuar këtë akt.

”Dënojmë çfarëdo lloj akti dhune shfaqur nga kushdo, ashtu siç e denojmë sot aktin qyqar që ka ndodhur ndaj bashkpartiakut tonë Arben Taravarit. Dhuna nuk është zgjidhje. Organet policore le ta zbardhin rastin dhe fajtorët të dalin para drejtësisë”, tha Krenar Lloga.

Ky akt vjen pas përplasjeve që shpërthyen fundjavën e kaluar në opinion, rreth pjesëmarrjes së ASH-së në zgjedhje. Të shtunën, Taravari doli me qëndrim se ka vendosur që në zgjedhje t’i bashkohet opozitës dhe për këtë kërkoi mbështetjen e partisë. Ndaj këtij qëndrimi janë shprehur kundër një pjesë e partisë. Kryetari i Kuvendit të ASH,  Ziadin Sela të dielën mbajti edhe një konferencë për media, duke e akuzuar Taravarin se po tenton të përçajë partinë, pasi sipas tij, vendimi i fundit i partisë ishte që të shkohet vet në zgjedhje. Ai thirri mbledhje të Kuvendit të partisë për të shtunën, ku do të kërkojë shkarkimin e Taravarit.

Ndërkohë, pas kësaj konference, kishte edhe një përplasje fizike në Tetovë, mes dy pjesëtarëve të partive. Edhe ky rast është paraqitur në polici./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share