Kryetari I Kuvendit Qendror të ASH-së, Ziadin Sela, gjatë një konference për media nga selia partiake në Tetovë njoftoi se për të shtunën ka thirrur seancën e Kuvendit Qendror ku do të kërkohet përgjegjësi për Kryetarin e partisë, Arben Taravari.
“Komunikimi I fundit ishte dje përmes SMS, i thash të thirrë takim të udhëheqësisë së partisë, që të marrim vendimin për të shkuar në Kuvendin partiak të shtunën. Një javë nga sot, të shtunën do të thirret. Publikisht do ta thërras Kuvendin e ASH-së dhe pika e rendit të ditës do të jetë përgjegjësia për Kryetarin e partisë” – tha Sela.
Sela bëri të ditur se është keqpërdorur angazhimi dhe djersa e njerëzve të ASH-së.
“Ne dhamë gjakun tonë, sakrificëndhe djersën e njerëzve që u besojmë, kurse sot konstatoj se kanë keqpërdorur. Dua të jem transparent para Shqiptarëve dhe shefave të degëve duke ua çuar mesazhin, dua të thërrast Kuvendin Qendror sa më shpejtë për shkak se afrohen zgjedhjet” – tha Sela.
Sela ka akuzuar Kryetarin Taravari se në takimet e fundit me liderët e partive politike, qoftë të pozitës apo opozitës, afër tij nuk ka asnjë anëtarë tjetër të ASH-së, që sipas tij lë hapësirë për dyshime.
“Taravari ua kontrabandon partinë atyre që dëshmuan se duan ta shkatërojnë ASH-në me thika pas shpine” – tha Sela duke pohuar se zhvillimet e fundit janë në funksion të përçarjes së partisë./tvklan.mk