Ministria e Shëndetësisë bën me dije se nga muaji nëntor, mbi 61 mijë qytetarë janë vaksinuar kundër gripit sezonal, përcjell KlanM.
Nga MSH thonë se Vaksinimi falas kundër kësaj sëmundje mbulon disa grupe të prirura për rrezik, mes të cilëve personat e moshuar (mbi 65 vjeç), personat me sëmundje kronike, punonjësit e shëndetësisë, gratë shtatzëna, fëmijët e moshës 6 muaj deri në 5 vjeç, si dhe personat e vendosur në institucionet e mbrojtjes sociale të të moshuarve dhe personat e punësuar në institucionet sociale për mbrojtjen e të moshuarve.
“Vaksinimi mbron dhe përfaqëson masën më të mirë parandaluese që parandalon shfaqjen e formave më të rënda, komplikacioneve dhe vdekjes, veçanërisht në grupet e prirura për rrezik. Vaksinat veprojnë, kanë imunogjenitet të dëshmuar dhe efikasitet të mirë”, thotë Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Qytetarët e interesuar ende kanë mundësi të regjistrohen për vaksinim falas duke plotësuar aplikacionin në ueb faqen zyrtare: https://vakcinacija.mk, dhe më pas me SMS marrin informacion për datën, kohën dhe vendin e saktë të vaksinimit.
Njëkohësisht, imunizimi kundër gripit sezonal me vaksina komerciale kryhet në qendrat e shëndetit publik në të gjithë vendin./tvklan.mk