Admirali i NATO: Ballkani të marrë seriozisht paralajmërimet
Presidenti ukrainas Volodimyr Zelensky paralajmëron se lufta ruse në Ukrainë mund të shkaktojë Luftën e Tretë Botërore. Në një intervistë për televizionin publik gjerman ARD, Zelenski flet për rrezikun që i kanoset botës, me afrimin e rusëve në kufijtë e NATO-s, nëse Ukraina bie.
“Rusia mund t’i afrohet Gjermaninë, nëse ne nuk e ndalim. Nuk mund ta them me saktësi se ku do të ndodhë afrimi, në Gjermani, në kufijtë e saj, në Poloni apo vendet baltike. Aty ku Rusia përballet me cilindo vend të NATO-s, në çdo rast kjo nënkupton fillimin e Luftës së Tretë Botërore.”
Rrezikun e zgjerimit të konfliktit me Rusinë përtej Ukrainës e paralajmëron në një intervistë pë shtypin e Malit të Zi edhe Admirani i NATO-s Rob Bauer. Kreu i Komitetit ushtarak, një prej strukturave më të larta drejtuese të aleancës i bën thirrje edhe vendeve të Ballkanit në veçanti, që ta marrin seriozisht paralajmërimin.
“Nuk mjafton të ngresh duart lart dhe të presësh që BE dhe NATO të bëjnë diçka për Ballkanin. Vetë vendet dhe liderët e tyre luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së rajonit.”
Ishte pikërisht Bauer, ai që pak ditë më parë bëri thirrjen e bujshme se perëndimi duhet të përgatitet për luftë me Rusinë, teksa thirrjet e Kievit për më tepër ndihma financiare dhe ushtarake po bien gjithnjë e më tepër në vesh të shurdhër tek aleatët perëndimorë.
Klan News