MANDATARI XHAFERI DORËZON PËRBËRJEN DHE PROGRAMIN QEVERITAR
Mandatari për qeverinë e ardhshme teknike, Talat Xhaferi në Kuvend ka dorëzuar përbërjen dhe programin e qeverisë teknike e cila do të ketë për detyrë të organizojë zgjedhjet në vend.
Kuvendi dje konstatoi dorëheqjet e Kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe Kryeparlamentarit, Talat Xhaferi. Deputeti i LSDM-së, Jovan Mitreski u zgjodh Kryetar I Kuvendit.
Dje, edhe Presidenti Pendarovski ia dorëzoi mandatin Talat Xhaferit.
Pas marrjes së mandatit, Talat Xhaferi, premtoi se e gjithë procedura për formimin e qeverisë teknike do të zhvillohet në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit.
Zv/Kryeministër i Parë, sipas Marrëveshjes LSDM – BDI, do të jetë Bojan Mariçiq, I cili mbetet edhe Zv/Kryeministër për Çështje Evropiane. Artan Grubi që kryente funksionin e Zv/Kryeministrit të Parë, do të jetë Ministër për Sistem Politik.
Opozitës i takojnë vendet ministrore në MPB dhe Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale dhe Zv/Ministra plotësues në Ministritë e Financave, për Shoqëri Informatike dhe Administratë dhe Bujqësi.
Ndryshe, në Qeverinë Teknike VMRO-DPMNE-ja ka propozuar Pançe Toshkovskin si kandidat për Ministër të Brendshëm Teknik, Gjoko Velkovskin, kandidat për Ministër Teknik për punë dhe politikë sociale, Elena Petrovën, kandidate për Zv/Ministre plotësuese për Financa, Cvetan Tripunovskin kandidat për Zv/Ministër plotësues për Bujqësi dhe Stefan Andonovskin Zv/Ministër plotësues për Shoqëri Informatike dhe Administratë.
Dihen edhe emrat e Ministrave dhe Zv/Ministrave plotësues nga radhët e LSDM-së. Mitko Bojmacaliev – shefi I Kabinetit të Oliver Spasovskit është kandidat për Zv/Ministër të Brendshëm plotësues. Në vendet ministrore në kulturë, ambient jetësor, transport, mbrojtje dhe bujqësi janë propozuar ministrat e deritashëm.
Për zv/Ministra plotësues nga LSDM-ja janë propozuar Viktorija Avramovska – Madiq në Ministrinë e Drejtësisë, Maja Manoleva në Ministrinë e Shëndetësisë, Aleksandar Bajdeski në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Filip Nikolovski në Ministrinë për Financa dhe Miki Krstev në Ministrinë për pushtet lokal dhe Jovana Trençevska në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale.
Votimi për qeverinë teknike pritet të bëhet të dielën në seancë plenare. Nesër duhet të mbahet edhe seanca për zgjedhjen e Zv/Ministrave dhe Zv/Ministrave plotësues.
Procedurat që nisën me dorëheqjet e Kryeministrit Kovaçevski dhe Kryeparlamentarit Xhaferi paraqesin hyrje në procesin zgjedhor për zgjedhjet e pranverës në vend.
Më 8 maj krahas zgjedhjeve parlamentare, do të votohet edhe në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Rrethi i parë I presidencialeve do të mbahet më 24 prill. /KlanMacedonia/