Gjatë katër viteve të saj si kryeministre e Finlandës, Sanna Marin u vlerësua për trajtimin e krizave të mëdha globale, duke përfshirë pandeminë, krizën klimatike dhe luftën në Ukrainë. Mirëpo, në mendjen e disa bashkatdhetarëve të saj dhe jo vetëm, e reja që bëri histori në skenën politike të vendit të saj është identifikuar me një video që e shfaqte atë duke kërcyer në një festë me miqtë e saj.
Për videon e diskutueshme, të zbuluar në gusht 2022, trajtimin e saj nga media dhe jetën e saj pas dorëheqjes nga drejtimi i partisë shtatorin e kaluar, ish-kryeministrja foli në një intervistë interesante për Elle.
38-vjeçarja shpjegoi se gjatë mandatit të saj katër vjeçar, një nga qëllimet e saj kryesore ishte t’i tregonte një shembull brezit të ri, veçanërisht grave të reja se ato mund të jenë vetvetja. Sipas Marin, kërcimi i saj nuk ishte ajo që shkaktoi një furi mediatike.
“Ne kemi parë politikanë të tjerë duke kërcyer, kënduar dhe pirë. Problemi i vërtetë ishte se dukesha shumë seksi. Ishte mënyra se si kërceja, lëvizjet që bëja”, shprehet ajo.
Pavarësisht ndikimit që ka pasur kjo video në jetën e saj, Sana Marin dëshiron ta bëjë të qartë se kur mendon për katër vitet si kryeministre, skandali i videos nuk është gjëja e parë që i shkon në mendje. Pavarësisht angazhimeve profesionale, Sanna Marin është e përfshirë në rritjen e vajzës që ka me ish-bashkëshortin, Markus Raikkonen.
Klan News