Fëmijët në Gaza po vdesin nga mungesa e ilaçeve

Numri i rasteve me sëmundje nga më të ndryshme tek fëmijët nën pesë vjeç është 20 herë më i lartë

Për palestinezët e zhvendosur në Gaza është gjithnjë e më e vështirë për të gjetur ilaçe për fëmijët e tyre që vuajnë nga një gamë e gjerë sëmundjesh ndërsa jetojnë në çadra në jug të Rripit të Gazës.

Përshkallëzimi i fundit i dhunës ka përkeqësuar problemet tashmë ekzistuese, me mungesën e aksesit në nevojat bazë, si ilaçet dhe kujdesi shëndetësor, duke u bërë një shqetësim kryesor për mijëra familje të zhvendosura.

Mushira Abu Lebdeh një palestineze e zhvendosur thotë se nuk është në gjendje të gjejë ilaçe kundër etheve, antibiotikë ose qetësues dhimbjesh për fëmijët e saj.

“Nuk ka ilaçe, nuk ka trajtime. Ky fëmijë ka për antibiotikë për alergjinë në mushkëri, por nuk ka asnjë mjekim. Fëmijët do të vdesin. Jeta jonë është një vdekje e ngadaltë.”

Me uljen e temperaturave gjatë muajve të dimrit, situata bëhet edhe më kritike. Mungesa e strehimit dhe ngrohjes së duhur do të thotë që shumë familje detyrohen të jetojnë në tenda të improvizuara, të pambrojtur ndaj të ftohtit.

“Para ushqimit ne kemi nevojë për medikamente dhe një vend të sigurtë për fëmijët tanë. Duam ngrohje. Është ftohtë. Dhjetë njerëz jetojnë në një tendë kjo nuk është normale dhe fëmijët infektohen nga njëri-tjetri. Kjo është jeta jonë.”

Një mjek në Spitalin Evropian në Khan Younis shtoi se shumica e spitaleve janë të papajisura për të trajtuar numrin në rritje të pacientëve, dhe në veçanti, fëmijët.

“Reparti i pediatrisë këtu ka pothuajse një mijë raste çdo ditë. Një fëmijë vjen në spital, me simptoma shumë të rënda. Prindërit përballen me vështirësi dhe frikë për të ardhur në spital. Fatkeqësisht çdo ditë humbasim shumë fëmijë për shkak të mungesës së ilaçeve, madje edhe ilaçe të thjeshta që duhet të ekzistojnë në çdo spital, klinikë apo qendër shëndetësore. Shumica e sëmundjeve nga të cilat vuajnë fëmijët janë sëmundjet e zorrëve dhe pneumonia.”

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se shumica e 36 spitaleve të enklavës kanë pushuar së funksionuari. Vetëm 15 funksionojnë pjesërisht.

Sëmundjet infektive janë përhapur me shpejtësi. Numri i rasteve me sëmundje nga më të ndryshme tek fëmijët nën pesë vjeç është 20 herë më i lartë në nëntor 2023 krahasuar me mesataren e një viti më parë, sipas Richard Peeperkorn, përfaqësues i OBSH-së në Gaza.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share