Lionel Messi kërkon të shkruajë historinë

Tetë herë ‘Topi i Artë’ synon të jetë me Argjentinën në Olimpiadën e 2024

Parisi pritet të jetë sërish shtëpia e Lionel Messi. Argjentinasi i Inter Miami dëshiron të luajë për kombëtaren në Lojërat Olimpike të vitit 2024 së bashku me Angel Di Maria. Sipas mediave argjentinase, tetë herë fituesi i Topit të Artë është i etur për të përfaqësuar “Albiceleste” në Lojërat e ardhshme Verore në Paris pas mbrojtjes së titullit të Kupës së Amerikës në Shtetet e Bashkuara.

Messi është i përgatitur për të arritur një dyshe historike me kombëtaren, pasi fitoi kupën e tretë botërore të Argjentinës në Katar në Dhjetor 2022. Megjithatë, gjithçka varet nga kombëtarja e Amerikës Latine që do të arrijë të kualifikohet për këtë ngjarje.

Argjentina do të fluturojë drejt Kinës në muajin mars, ku do të luajë dy miqësore në kuadër të përgatitjes për Lojërat Olimpike, në të cilat pritet të marrin pjesë të dy veteranët. Messi dhe Di Maria ishin pjesë e skuadrës së Argjentinës në Olimpiadën e Pekinit 2008, ku arritën që të fitonin medaljen e Artë Olimpike.

Nëse Messi i jep skuadrës së tij një tjetër medalje në kryeqytetin francez, atëherë ai do të jetë lojtari i vetëm në histori që ka dy medalje të arta olimpike dhe një Kupë Bote. Kampionati amerikan i futbollit do të jetë në mesin e sezonit gjatë Lojërave Olimpike, megjithatë, lojtari më i mirë në Botë në vitin 2023 do të humbasë vetëm një ndeshje të vetme me Inter Miami. Ndërsa, Di Maria pritet të kthehet në Argjentinë për t’u bashkuar me Rosario pas fundit të kontratës me Benfikën.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share