Javën e ardhshme Qeveria teknike – në lojë disa opsione!

VENDET E VMRO-DPMNE-së NË DO TË MBESIN TË ZBRAZËTA, NËSE AJO NUK PËRKRAH QEVERINË TEKNIKE

Kanë mbetur vetëm edhe një javë nga zgjedhja e qeverisë teknike, ndërsa pushteti dhe opozita maqedonase, që duhet të bashkëqeverisin në këtë qeveri, ende nuk kanë sqaruar mospajtimet për këtë çështje. VMRO – DPMNE do të propozojë ministrat e tyre në këtë qeveri, por nuk do të përkrah as kryeministrin teknik e as qeverinë e re. Partitë e pushtetit, LSDM dhe BDI kanë paralajmëruar se nëse ndodhë kjo, atëherë nuk do të propozohen as kandidatët e VMRO-së për ministra në qeverinë e re dhe ato pozicione do të ngelen të zbrazëta.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut javën e ardhshme pritet të fillojë dhe përfundojë procedurën parlamentare për formimin e Qeverisë teknike.

Sipas paralajmërimeve nga Kuvendi, nga 22 deri më 28 janar në seanca plenare do të konstatohen dorëheqjet e kryeministrit dhe të Kuvendit. Gjithashtu do të zgjedhet kryetari i ri I Kuvendit dhe do të njoftohet presidenti I vendit për të dhënë mandatin kryeministrit të ri të Qeverisë teknike.

Megjithatë, mbetet i paqartë pozicioni që do të ketë ose nuk do të ketë opozita maqedonase në këtë qeveri, marrë parasysh se në përputhje me ligjin për Qeveri teknike, ajo duhet të propozojë kandidatë për të drejtuar dikastere të caktuara në kuadër të kësaj qeverie.

Edhe pse VMRO – DPMNE veçmë ka marrë vendim partiak që të propozojë kandidatë për ministra, ajo ka paralajmëruar se nuk do të mbështesë kryeministrin teknik, e rrjedhimisht nuk do ta votojë qeverinë teknike.

Megjithatë, kryeministri Dimitar Kovaçevski paralajmëroi se, nëse VMRO-DPMNE nuk voton pro Qeverisë teknike dhe për kryeministrin teknik, atëherë mandatari i Qeverisë teknike nuk do i propozojë emrat e ministrave të VMRO-DPMNE-së dhe ato vende do të mbeten të zbrazëta.

Në të njëjtën linjë është edhe BDI, prej ku kanë thënë se, edhe deputetët e kësaj partie nuk do t’i përkrahin propozimet për ministra që vijnë nga VMRO DPMNE, nëse kjo e fundit nuk e përkrah qeverinë teknike.

Por edhe përkrah këtyre paralajmërimeve nga pushtetit, opozita maqedonase nuk lëshon pe. Prej atje u përgjigjen se, mbetet në të njëjtin qëndrim, ndërsa emrat për ministra dhe deputetë, sipas ligjit, do të propozohen javën e ardhshme. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share