Qendra për Menaxhimin e Krizave pas njoftimeve nga DHPM këtë fundjavë për reshje të dendura bore dhe mot të ftohtë me rënie të ndjeshme të temperaturave apelon tek qytetarët për drejtim të kujdesshëm të automjeteve për shkak të pakalueshmërisë së mundshme të rrugëve në zonat më të larta, përcjell KlanM.
“Qytetarët të udhëtojnë me kujdes gjatë ditës së nesërme dhe të dielën, nëse është e nevojshme, me karburant të mjaftueshëm në rezervuar dhe sigurisht me pajisje dimërore të përshtatshme për automjetet në vendet më të larta dhe qafa malore, sepse mund të krijohen rrëshqitje bore dhe rrugët mund të jenë të pakalueshme në seksionet e larta për një periudhë të caktuar kohore”, theksojnë nga QMK.
Në të njëjtën kohë, njerëzve që jetojnë në vende më të larta u kujtohet se duhet të rezervojnë me kohë ushqimet bazë (ushqim dhe ilaçe), si dhe rekomandohet lëvizja e kujdesshme e qytetarëve në këmbë, pasi është e mundur shfaqja e akullit.
Përndryshe, metereologët paralajmërojnë valë të reshjeve të borës gjatë fundjavës në gjithë Maqedoninë e Veriut. Sipas tyre, sic njofton KlanM, gjithandej do të formohet shtresë dëbore që do të shkojë deri në 20 centimetra, kurse nëpër qendrat e skijimit shtresa e borës do të shkojë deri në 40 cm.
Nga ana tjetër, Drejtoria për Punë Hidrometereologjike, sic percjell KlanM, parashikon mot të ftohtë dhe me vranësira me reshje kryesisht të dëborës. Vende – vende reshjet e dëborës do të jenë më intensive, vecanërisht në pjesën perëndimore të vendit.
Do të fryejë erë mesatare dhe e përforcuar nga drejtimi verior që do të ndikojë në uljen e ndjeshme të temepraturave.
Nga e hëna, moti do të jetë stabil me mjegull nëpër lugina dhe me temperatura të ulëta që vende – vende do të shkojnë deri në minus 15 gradë Celsius./KlanMacedonia