Osmani – Hasani: Dy vendet përfunduan skriningun, është koha të hapen kapitujt

HASANI: SHPRESOJMË QË PAS ZGJEDHJEVE, RMV TË MOS NDRYSHOJË PËRKUSHTIMIN NDAJ INTEGRIMEVE

Sot më shumë se kurrë, vendet tona, shoqëritë tona, njerëzit tanë ndajnë interesa të përbashkëta dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen. Kjo është porosia që dha sot nga Shkupi, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, pas takimit që zhvilloi me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani. Ai tha se, një nga projektet më madhore mes dy shteteve është padyshim Korridori 8, i cili, sipas tij, do të transformojë pozitën strategjike të dy vendeve, por edhe për zhvillimin e ekonomive. Duke folur për rrugëtimin euro-integrues, Hasani tha se shpreson që Maqedonia e Veriut të mos ndryshojë përkushtimin ndaj procesit euro-integrues pas zgjedhjeve.

“Shqipëria do të vijojë të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, sidomos në një vit zgjedhor si ky, ku në pranverë do të mbahen zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare. Urojmë që ky proces të ecë mbarë dhe mbi të gjitha urojmë që ky proces të mos sjellë asnjë ndryshim në përkushtimin ndaj perspektivës së përbashkët evropiane. Në këtë kontekst, dua të theksoj rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur faktori shqiptar”, tha Igli Hasani.

Ndërkaq, Osmani tha se hapja e negociatave, do t’i hapte rrugë reformës thelbësore, luftës kundër krimit dhe korrupsionit, por edhe do të përforconte ciklin e investimeve, rritjen e të ardhurave, dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në përgjithësi.

“Qytetarët me të drejtë janë të padurueshëm për të marrë më shumë nga Evropa tani, për të marrë hapjen e klasterëve dhe kapitujve, që do të thotë një prani më të madhe të Evropës këtu në vend, si dhe më shumë integrim tani, përpara anëtarësimit. Edhe pse nuk është kjo mënyra e vetme, është mënyra më e mirë dhe më efektive edhe për reformë thelbësorë të gjithë sistemit, nga sundimi i drejtës, lufta kundër krimit të organizuar”, tha Bujar Osmani.

Dy diplomatët konkluduan se, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme t’i hapin klasterët dhe kapitujt dhe kjo nuk duhet të zvarritet./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share