Tifozët e përshëndesin dhe e falenderojnë portugezin, i kujtojnë suksesin e Tiranës
Me sy të përlotur, Jose Mourinho u largua nga qendra stërvitore e Romës pasi u shkarkua nga posti i trajnerit. Portugezi i la verdhekuqtë në vend të nëntë në renditjen e Serie A, në kuotën e 29 pikëve, 22 më pak se sa kryesuesit e Interit.
Pronarët amerikanë e morën vendimin për shkak të karakterit të tij konfliktual, ndërsa tekniku u ndëshkua pesë herë me karton të kuq gjatë qëndrimit të tij te verdhekuqtë.
Për më tepër që Roma fitoi 1 nga 6 takimet e fundit, duke rritur së tepërmi pakënaqësitë. Në sfidën e fundit ku verdhekuqtë u mposhtën 3-1 nga Milani, portugezi u detyrua ta shikonte ndeshjen nga tribuna.
Momentet e fundit të largimit nga Trigoria ishin të trishta për portugezin që nuk i mbajti dot lotët. Ndërkohë që tifozët nisën të këndonin për të, e disa të tjerë e falenderonin. Disa të tjerë i thanë se suksesi i arritur nga Roma në Tiranë, gjithnjë do të ngelet në memorien e tyre. Në sezonin e tij të parë, 60-vjeçari i udhëhoqi Romën drejt fitimit të Ligës së Konferencës në stadiumin “Air Albania”.
Klan News