Kryeministri belg Alexander de Croo, vendi i të cilit aktualisht kryeson BE-në, ka deklaruar në fjalimin e tij para eurodeputeteve se duhen ndërmarrë reforma brenda organizatës përpara se të pranohen anëtarë të rinj.
Alexander de Croo: Evropa e bashkuar duhet që të demostrojë përgjegjësinë e saj kur bëhet fjalë për zgjerimin me fqinjët e saj nga Ballkani perëndimor, Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Ne duhet që të luajmë rolin tonë për të përmirësuar rrugën drejt zgjerimit nga 27 shtete aneëtare aktualisht në më shumë se 30 në të ardhmen. Kjo është një sipërmarrje e madhe ndaj presidenca belge do të hartojë një plan konkret me parashikime kohore lidhur me financimin e BE-së, strukturën e saj politike si dhe për respektimin e shtetit ligjor nga ata që duan që të na bashkangjiten.
Sipas De Croo vendet që duan të anëtarësohen në BE duhet të plotësojnë kritere specifike në lidhje me demokracinë dhe sundimin e ligjit, të miratojnë legjislacionin evropian dhe të mbijetojnë ekonomikisht në tregun e përbashkët. Për kryeministrin belg procedurat e vendimmarrjes gjithashtu duhet të rregullohen pasi nuk është e lehtë as me 27 shtete anëtare.
BE-ja duhet të përmirësojë aftësinë e saj për të marrë vendime të shpejta duke ruajtur unitetin dhe të jetë më efikas me burimet e vendeve anëtare, tha ai.
Ish-Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel kishte premtuar se shtetet ballkanike duhet të bëheshin anëtare me të drejta të plota në BE deri në vitin 2030. Ky premtim për vendosjen e afateve kohore për zgjerimin e BE-se nuk po përkrahet nga shumica e shteteve anëtare.
Presidenca belge deri në muajin qershor do të përcaktojë masat që duhen marrë nga vetë BE-ja dhe shtetet kandidate për reformat që do të mundësonin zgjerimin në të ardhmen e afërt duke parë mundësine e heqjes së vetos.
Klan News