“Kuvendi ka nevojë për opozitën”
Fjalimin që duhej ta mbante në parlament, Presidenti Bajram Begaj e dha nga institucioni i Presidencës, duke qenë se deputetët demokratë bllokuan foltoren.
Begaj iu drejtua deputetëve që të riorientojnë dialogun për të mirën e përbashkët, të rikthejnë bashkëpunimin parlamentar dhe të rigjejnë qëllimin e humbur. Ai u shpreh se Kuvendi është skena e ballafaqimit të ideve dhe jo arena e luftës ndaj kundërshtarit.
Bajram Begaj: Jam i bindur se deputetët dhe klasa politike mund të gjejë forca që konfliktin politik ta zëvendësojnë me bashkëpunim konstruktiv, përçarjen ta këmbejnë me frymën e shenjtë të parlamentarizmit demokratik dhe shtetit të së drejtës pa shuar debatin që institucionet e shtetit të forcohen. Në demokraci përballja e ideve brenda kornizës së respektit për tjetrin dhe vetëpërmbajtja janë domosdoshmëri. Prandaj debati lipset konstruktiv. Kuvendi është skena e ballafaqimit të ideve, jo arena e luftës ndaj kundërshtarit. Është dora e shtrirë ndaj kompromisit dhe dialogut. Sesioni i kaluar i Kuvendit fatkeqësisht shpenzoi më shumë kohë për axhenda joparlamentare sesa për çështje madhore për vendin. Koha e humbur në theksimin e ndasive nuk kthehet më. Ky sesion i ri parlamentar është një mundësi e re për ju deputetë që të riorientoni dialogun për të mirën e përbashkët, interesin kombëtar dhe konsolidimin e pozitave të Shqipërisë në rajon, me BE-në dhe aleatin tonë strategjik, SHBA-në. Ndaj uroj t’i riktheheni bashkëpunimit parlamentar dhe të rigjeni qëllimin e humbur. Të gjithë ne shqiptarët i kemi sytë nga ju. Përveç rolit të ligjbërësve keni rolin e rëndësishëm të modeleve në shoqëri.
Ndër të tjera Begaj tha se Kuvendi ka nevojë për opozitën dhe zërin e saj në përballjen me ide dhe argumente. Sipas tij, interesat partiake nuk mund të bëhen penegesë për zhvillimin e vendit.
Bajram Begaj: Kuvendi është hapësira e debateve ku profesionistë të ndryshëm, media, studentë, shoqëria civile, diaspora dhe përfaqësuesit e shtresave të ndryshme sociale e të pakicave kombëtare, të kenë mundësi të përfshihen e të dëgjohen. Kuvendi ka nevojë për opozitën, ka nevojë për zërin e saj, argumentat e saj, si dhe përballjen në debate me ide dhe argumente. Bashkëpunimi vullnetmirë midis forcave politike ka fuqinë të japë zgjidhje dhe të çliroje energji pozitive. Në Kuvend duhet kultivuar demokracia, frymëzimi për të tashmen dhe shpresa për të ardhmen. Demokracia është një proces që jetësohet nga përkushtimi për konsolidimin e saj. Pa diskutimin e vazhdueshëm midis ofertave politike dhe dakordësinë e palëve që ato ti shërbejnë të mirës së qytetarëve dhe prosperitetit të vendit, demokracia është e cënuar. Nuk mund të ketë liri, përparim apo drejtësi sociale pa demokracinë në themel të ndërveprimit tonë. Klasa politike ka detyrën që të jetë në vijën e parë të mbrojtjes së parimeve demokratike. Interesat partiake nuk mund të bëhen pengesë për konsolidimin e shtetit të së drejtës, zhvillimit socialo- ekonomik të vendit dhe, për situatën ku ndodhemi, për ecurinë e procesit integrues në BE.
Duke folur për sfidat e reja të këtij sesioni, Begaj u shpreh se ato kërkojnë përkushtim, atdhedashuri dhe kthjelltësi nga të gjithë.
Bajram Begaj: Jam i vetëdijshëm se axhenda politike e këtij sesioni kuvendor është e mbushur me sfida. Siguria, drejtësia, arsimi, shëndetësia, rritja e mirëqenies në të gjitha shtresat e popullsisë, demografia, mjedisi, drejtësia sociale janë sfida që kërkojnë përkushtim, atdhedashuri dhe kthjelltësi. Koha nuk pret. /tvklan.al