OKB kërkon 4.2 miliardë Dollarë ndihmë për Ukrainën

Ndihma humanitare do të shkojë jo vetëm për qytetarët brenda Ukrainës, por edhe refugjatët

Teksa konflikti Izrael-Hamas e ka shpërqëndruar vëmendjen nga lufta në Ukrainë, OKB kërkon nga donatorët që gjatë këtij viti të japin 4.2 miliardë Dollarë ndihmë humanitare.

Që nga nisja e këtij viti, Ukraina po përballet me sulme intensive ajrore ruse, duke vështirësuar edhe më shumë jetën e civilëve.

“Në qytetet e vogla dhe fshatrat në vijën e frontit, njerëzve u kanë shteruar burimet e tyre të pakta dhe mbështeten në ndihmat që vijnë nga autokolonat e partnerëve tanë për të mbijetuar. Në rajonet e Donetsk dhe Kharkiv, familjet jetojnë në shtëpi të dëmtuara pa ujë gaz ose energji elektrike dhe në të ftohtë. Bombardimet i detyrojnë të moshuarit të kalojnë ditët e tyre në bodrume. Fëmijët, të tmerruar dhe të traumatizuar, kanë jetuar në të njëjta rrethana, të bllokuar brenda dhe shumë, prej tyre janë pa shkollim”.

Mbi 14.6 milionë ukrainas brenda vendit, apo 40 për qind e popullsisë së përgjithshme besohet se kanë nevojë për ndihmë humanitare gjatë këtij viti.

Ndërkohë, lufta ka detyruar rreth 6.3 milionë ukrainas që të gjejnë strehim jashtë vendit. Agjencia për ndihmë e OKB-së bën të ditur  se 3.1 miliardë Dollarë, apo 75 për qind e shumës së përgjithshme, do të dërgohej për të ndihmuar 8.5 milionë persona brenda Ukrainës ndërsa 1.1 miliardë për të ndihmuar refugjatët në shtetet ku janë strehuar.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share