Kosovë: KQZ rrit në 4,8 milionë shumën e përkrahjes për partitë parlamentare – Vetëvendosje merr gati gjysmën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të premten ka mbajtur mbledhjen e radhës ku mori vendim për caktimin e lartësisë së mjeteve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2024.

Shuma e mjeteve për financimin e subjekteve politike dhe për mbështetjen e punës së secilit deputet nga ky fond është në vlerën e përgjithshme prej 4 milionë e 800 mijë euro.

Besnik Buzhala, Drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe kontrollit Financiar të Subjekteve Politike, tha se Kuvendi i Kosovës përfaqësohet nga 15 parti politike.

Sipas tij, shuma e ndarë për këto subjektet politike për vitin 2024 është rritur për 600 mijë euro dhe totali për vitin 2024 është 4 milionë e 800 mijë euro.

“Numri i subjekteve politike i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës është 15, ndërsa shuma e mjeteve totale është 4 milionë e 800 mijë euro, kjo shumë është rritur për 600 mijë euro”, tha ai.

Sipas tabelës së KQZ-së, shuma për Lëvizjen Vetëvendosje është 2 milionë e 52 mijë euro, derisa shuma e ndarë për shpenzime të deputetëve është 228 mijë euro. Në total, shuma e ndarë për këtë subjekt është 2 milionë e 280 mijë euro.

Për PDK-në, janë ndarë 684 mijë euro, derisa shuma për shpenzimet e deputetëve të kësaj partie është 76 mijë euro, që në total janë 760 mijë euro.

LDK-ja do të ketë në dispozicion 576 mijë euro, ndërkohë që shuma e ndarë për shpenzimet e deputetëve është 64 mijë euro, ndërsa totali, për LDK-në janë ndarë 640 mijë euro.

Për Listën Serbe janë ndarë 324 mijë euro. Shuma e ndarë për shpenzimet e deputetëve të kësaj partie është 36 mijë euro, apo në total 360 mijë euro.

AAK-së i janë ndarë 288 mijë euro, derisa për shpenzime të deputetëve 32 mijë, apo në total 320 mijë euro.

Pjesa tjetër e Fondit i takon partive të vogla minoritare që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi, tha se me nëntë vota për miratohet kjo pikë.

Në rend dite, pos miratimit të mjeteve për subjektet politike, është miratuar edhe drafti i Planit Final të Prokurimit për vitin 2024 dhe draft i Planit të Punës për vitin 2024.

Ndërkaq, është miratuar edhe draft Plani Final i Prokurimit për vitin 2024.

Gjithashtu, në këtë mbledhje është miratuar edhe ftesa nga ODIHR, për pjesëmarrje në konferencën “Shkëmbim Rajonal mbi Forcimin e Sistemeve dhe Praktikave Financiare të Fushatës” në Varshavë, si dhe është miratuar edhe ftesa e IFES, për takim online nga Rrjeti i Drejtësisë Zgjedhore për Evropën dhe Eurazinë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share