Arrestohen brenda pallatit presidencial dy deputetë polakë

Akuzohen për shpërdorim detyre. Ishin dënuar me 2 vjet burg, por përfituan nga falja e Presidentit Duda

Policia polake ka arrestuar ish-ministrin e Brendshëm dhe zëvendësministrin e Brendshëm, brenda pallatit presidencial në Varshavë. Mariuz Kaminski dhe Maciej Uasik u dënuan me dy vjet burg muajin e kaluar për shpërdorim të detyrës, kur drejtonin një zyrë kundër korrupsionit në 2007. Pas arrestimeve, Ministri i ri i Brendshëm, Marcin Kieruinski shkroi në X: “Të gjithë janë të barabartë para ligjit”.

Arrestimet nxjerrin në pah trazirat politike midis partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) dhe koalicionit të ri pro-BE. Ish-ministri i Brendshëm dhe zëvendësministri, të cilët u zgjodhën deputetë të PiS në tetor, refuzuan të njihnin vendimin e gjykatës të muajit të kaluar, sepse presidenti Andrzej Duda i fali ata për shpërdorim detyre në vitin 2015. Duda ka thënë gjithashtu se nuk e njeh vendimin e gjykatës sepse këmbëngul se falja mbetet e vlefshme.

Atyre u janë hequr mandatet, por ata dhe presidenti Duda këmbëngulin se mbeten deputetë të zgjedhur ligjërisht. Të hënën në mbrëmje, gjykata lëshoi ​​një urdhër për policinë për t’i ndaluar ata. Pavarësisht kësaj Duda i ftoi të dy në Pallatin Presidencial të Varshavës të martën në mëngjes për të marrë pjesë në një ceremoni për të betuar dy nga ish-kolegët e tyre si këshilltarë presidencialë.

“Ne kemi të bëjmë me një krizë shtetërore shumë serioze. Një diktaturë e zymtë po krijohet,” tha Kaminski.  Pas arrestimeve, disa qindra mbështetës të PiS-ve demonstruan jashtë pallatit në mbështetje të tyre.

Mariuz Kaminski

Turma brohoi “Lironi të burgosurit politikë” , “Turp!”

“Ata hyjnë në pallatin presidencial dhe arrestojnë njerëz. Pallati Presidencial është i ngjashëm me një ambasadë! Njerëzit kërkojnë strehim nga shtypja, megjithatë dikush vë në dyshim faljen presidenciale. Kush është mbi Presidentin? Kjo qeveri, tani, duket se funksionon jashtë kufijve të ligjit”.

Kryeministri Donald Tusk tha në një konference për shtyp se situata ishte “e pabesueshme”. Ai u shpreh se vendimi i gjykatës duhet të respektohet, ndërsa akuzoi Presidentin Duda se po i ndihmonte deputetet të shmangin drejtësinë.

Koalicioni i Tusk mori detyrën muajin e kaluar duke u zotuar të zhbëjë ndryshimet e PiS në sistemin gjyqësor, media dhe shërbimin civil që Komisioni Evropian dhe shumë organe të tjera ndërkombëtare thonë se kanë minuar sundimin e ligjit në Poloni. Një nga veprimet e tij të para ishte reformimi i TV, radiove dhe agjencisë shtetërore të lajmeve që PiS e kishte shndërruar në një mjet propagandistik për qeverinë e tij.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share