Braziliani u prezantua në zyrat e FSHF me 9 Janar, kualifikimi në Euro2024 u shoqërua me rekorde
“Kemi shumë dëshirë që të bëjmë mirë, të sjellim rezultate pozitive, që ta çojmë Kombëtaren shqiptare në vendin e duhur. Për këtë arsye jemi këtu.” Ky ishte premtimi i bërë nga trajneri Silvinjo në konferencën e prezantimit si timonieri i Kombëtares shqiptare 9 Janarin e vitit 2023. Objektiv që 12 muaj më pas është arritur, me brazilianin që ka shkëlqyer nën dirigjimin e kuqezinjve. Kualifikimi në finalet e Euro2024 ishte ajo që u kërkua nga FSHF para hedhjes së firmës në kontratë të 48-vjeçarit.
Rezultatet pozitive nën drejtimin e tij u kurorëzuan me pjesëmarrjen e dytë në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit në kontinentin e vjetër. Në 9 duele mes kualifikueseve dhe miqësores me Bullgarinë, kombëtarja e Silvinjos koleksionoi 5 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje. Nën drejtimin e brazilianit, kuqezinjtë fituan grupin E, me 15 pikë, për të vendosur kështu rekorde.
Për herë të parë, kombëtarja jonë koleksiononte një total të tillë pikësh dhe fitonte një grup kualifikues. Edhe forca sulmuese bëri diferencën, pasi u shënuan 14, ndërsa mbrojtja pësoi vetëm 4, për të qenë ndër më të mirat në Europë.
Një tjetër fakt është që me Silvinjon në stol shënojnë thuajse të gjithë. 8 lojtarë të ndryshëm kanë realizuar me fanellën kuqezi gjatë vitit 2023, për të ngritur në peshë tifozët jo vetëm në stadium, por edhe ato që kishin zgjedhur ambiente të tjera për të ndjekur sfidat e kombëtares, gjithnjë në ekranin kampion atë të TV Klan.
Suksesi me kualifikimin në Euro2024 mund ta shtyjë Sylvinhon për të bindur akoma dhe më shumë FSHF për t’i ofruar rinovim të kontratës që skadon në fundin e Qershorit.
Klan News