Berisha përshëndet mbështetësit nga dritarja

“2023, viti i përpjekjeve qeveritare për të vrarë opozitën”

Nga podiumi i selisë blu, komunikimet e përditshme publike të Sali Berishës janë zhvendosur në dritaren e shtëpisë së tij.

Ashtu si një ditë më parë, edhe pasditen e kësaj të hëne, Berisha që ndodhet në arrest shtëpie ka përshëndetur mbështetësit që mblidhen çdo ditë në rrugën poshtë banesës së tij, që vetë ai e ka emërtuar “Rruga e Shpresës”.

Është menduar dhe për infrastrukturën e nevojshme dhe është improvizuar një mikrofon, në mënyrë që zëri i Berishës të vijë i qartë për mbështetësit.

“Demokratë dhe demokrate…”

Berisha bën një analizë të vitit që lamë pas e që sipas tij ishte viti i përpjekjeve antiligjore e antikushtetuese nga ana e shumicës për te lënë vendin pa opozitë.

“Institucionet e vendit u shndërruan në mënyrë përfundimtare në armë të diktaturës së re. Shërbimi informativ, Policia e Shtetit, të gjthë u vërsulën kundër opozitës.”

Ish-kryeministri ka vijuar të denoncojë ato që i quan aferat e qeverisë që flirton me Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, e cila në vend se të veprojë, deklaron Berisha, mbyll sytë përpara vjedhjeve dhe abuzimit me detyrën nga ana e qeveritarëve.

“Skapistët po e mbrojnë Edi Ramën në verbërinë më të madhe sepse vetë ata janë bashkëpunëtorë në krimet e tij.”

Kjo e sotmja është dita e 8 që mbështetës të Sali Berishës protestojnë poshtë apartamentit të tij kundër vendimit të SPAK-ut për ta lënë në arrest shtëpie për dosjen e ish-kompleksit “Partizani”.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share