Jo vetëm për faktin se erdhi në një moment që nuk pritej, por dhe se ndryshon struktura e kabinetit qeveritar, propozimi i Blendi Gonxhes si ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka surpizuar jo pak.
Vetë kryeministri ka lajmëruar në rrjetet sociale se do t’i propozonte këtë fillimviti presidentit dekretimin e Gonxhes si ministër, duke nënkuptuar shkarkimin e ministres, Elva Margariti.
Rama shpjegon përse lind pikërisht në këtë moment nevoja për këtë lëvizje që sjell shkrirjen e 3 sektorëve që asnjëherë nuk kanë qenë të lidhur me njëri-tjetrin në një dikaster të vetëm.
“Lipset të kalohet sot në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të cilat për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, sidomos në kushtet kur teknologjia digjitale ka hyrë si një fuqi e re e kohës në të gjitha fushat e jetës dhe kërkon drejtim strategjik, orientim qeverisës e koordinim ndërsektorial; kur kultura nuk mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ajo ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave ajo mund të përfitojë shumë më tepër; kur vetë sektori i ekonomisë në tërësi kërkon një përmasë të re në frontin e qeverisjes.”
Struktura e qeverisë ka ndryshuar në këto 10 vite disa herë. E fundit ishte në Shtator të vitit të kaluar, ku veç emrave të rinj të ministrave, u rikthye Ministria e Pushtetit Vendor dhe u shkri Ministria për Standartet dhe Shërbimet.
Rama evidenton në postimin e tij aftësite profesionale të Gonxhes, por nuk thotë asnjë fjalë për ministren në largim Margariti, e vetmja që duhet të lërë kabinetin qeveritar pas shkrirjes së tre sektorëve nën ombrellën e një ministrie të vetme.
“Për drejtimin e kësaj ministrie të re do t’i propozoj sot Presidentit të Republikës, zotin Blendi Gonxhe, një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të institucionit, orientimin konstant ndaj inovacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët, shpejtësinë e integrimit të nënsektorit përkatës në kornizën e standarteve europiane.”
Rrugëtimi i përbashket i Edi Ramës dhe Blendi Gonxhes nis në 1998 kur Rama si Ministër Kulture e emëroi Gonxhen shefin e tij të kabinetit.
Më pas në 2000 kur fitoi mandatin e parë si kryebashkiak, Gonxhen e zgjodhi si zëvendësin e tij në Bashkinë e Tiranës. Prej 2018-ës, Blendi Gonxhe ishte në krye të Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Tv Klan