Deti i Kuq: Sulmet e piratëve pengojnë tregtinë botërore

Shumë rrugë tregtare të çojnë përmes Detit të Kuq e Kanalit të Suezit. Milicët huti nga Jemeni po sulmojnë vazhdimisht anijet atje. Ata e shohin veten si pjesë e një “boshti të rezistencës” të drejtuar kundër Izraelit.

Disa kompani anijesh transporti aktualisht po e shmangin lundrimin përmes ngushticës pranë Jemenit, sepse rebelët huti të Jemenit, të mbështetur nga Irani, kanë sulmuar vazhdimisht anijet që udhëtojnë përmes ngushticës Bab al-Mandeb gjatë javëve të fundit. Në rrugën e tyre drejt Kanalit të Suezit të gjitha anijet duhet të kalojnë përmes kësaj ngushtice detare. Bab ach-Madneb ndan Gadishullin Arabik nga Afrika dhe lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit – dhe kështu me Oqeanin Indian. Fokusi i sulmeve të milicëve huti janë anijet që dyshohet se kanë lidhje me Izraelin.

Si përgjigje, SHBA-të formuan koalicionin ushtarak ndërkombëtar OPG (Operacioni Prosperity Guardian) disa ditë para Krishtlindjeve për të siguruar transportin në Detin e Kuq. Më 30 Dhjetor 2023, marina amerikane fundosi disa varka që i përkisnin rebelëve Huti që sulmuan anijen daneze të kontejnerëve Maersk Hangzhou. Kompania e madhe e transportit detar Maersk pezulloi të gjitha udhëtimet në Detin e Kuq për 48 orë të dielën, por tani po shqyrton përdorimin e itinerarit përsëri.

Kanali i Suezit
Nëse anijet nuk kalojnë përmes Kanalit të Suezit, në rrugën e tyre nga Lindja e Largët në Evropë, atëherë ato duhet të përshkojnë të gjithë kontinentin afrikan. Ky është një udhëtim më i gjatë për një javë, afërsisht 3.500 milje detare (6.482 kilometra) udhëtim më shumë.

Kanali i Suezit, i cili lidh Detin e Kuq me Mesdheun, është rruga më e shkurtër midis Evropës dhe Azisë. Rreth 12 për qind e trafikut global të transportit detar kalon përmes kësaj rruge ujore.

Shpenzimet e mëdha

Sipas analistëve, sulmet nga rebelët Huti tashmë kanë rritur ndjeshëm koston e transportit të mallrave. Nëse kriza zvarritet për një periudhë më të gjatë, çmimet që vetë konsumatorët duhet të paguajnë për mallrat e importuara mund të rriten edhe më shumë.

“Nëse marrim për shembull një udhëtim vajtje-ardhje nga Shangai në Roterdam, vetëm një devijim përmes Kepit të Shpresës së Mirë rrit kostot e karburantit deri në 1 milion dollarë”, tha për DW Peter Sand, kryeanalist në kompaninë e analizës së tregut me qendër në Kopenhagë, Xenet.”

Dërgesat e naftës janë në rrezik

Rreth nëntë për qind e të gjitha anijeve që transportojnë naftë dhe gaz lundrojnë nëpër Detin e Kuq. Cisternat e naftës ishin gjithashtu në shënjestër të rebelëve Houti. Kompania britanike e naftës BP është një nga kompanitë që shmang këtë rrugë që nga 18 dhjetori.

“Ne po shohim këtu dhe tani që furnizimet me energji – qoftë naftë, qymyr apo gaz – janë prekur thjesht për shkak të dimrit të hemisferës veriore”, tha analisti Sand. Kjo mund të ketë një efekt domino në çmimet e energjisë.

Ehsan Khoman, analisti kryesor i tregut të mallrave në bankën kryesore japoneze MUFG, ka një mendim të ndryshëm. Ai beson se sulmet nga rebelët Huti nuk do të kenë një efekt të qëndrueshëm në çmimet e energjisë. “Devijimi i anijeve prish zinxhirët e furnizimit, por jo prodhimin.”

Problemet me eksportin

Vonesat e dërgesave po prekin edhe portet e kontejnerëve në të gjithë Evropën, tha për DW Lars Jensen, drejtor i Vespucci Maritime, një konsulencë me bazë në Danimarkë. “Le të themi se kam një port që trajton 50.000 kontejnerë në javë. Nëse asgjë nuk arrin një të dielë, ndërsa të dielën tjetër mbërrijnë 100 mijë kontejnerë, kjo mund të çojë në mbingarkesë”, thotë Jensen.

Kriza e Detit të Kuq risjell kujtimet e marsit 2021. Në atë kohë, Kanali i Suezit u bllokua për gjashtë ditë pasi u bllokua nga anija Ever Given. Në atë kohë, bota ishte e bllokuar për shkak të pandemisë corona, ndërsa zinxhirët e furnizimit të tregtisë globale ishin dëmtuar rëndë.

Qindra anije u bllokuan në Detin e Kuq për javë të tëra. Kostot e transportit të kontejnerëve u rritën nga 2000 dollarë (rreth 1800 euro) në 14 mijë dollarë (mbi 12 mijë euro). Kriza shkaktoi vonesa të mëtejshme në importimin e mallrave nga Azia për muaj të tërë.

SHBA dhe aleatët e saj po forcojnë sigurinë detare

Si pjesë e operacionit shumëkombësh të mbrojtjes së tregtisë detare në Detin e Kuq, Mbretëria e Bashkuar, Bahreini, Kanadaja, Franca, Italia, Holanda, Norvegjia, Sejshelet dhe Spanja kryejnë patrulla të përbashkëta në Detin e Kuq jugor dhe Gjirin e Adenit.

Megjithëse luftanijet amerikane dhe britanike në zonë filluan të shënjestrojnë Hutit me raketa dhe dronë, është e paqartë nëse prania e një force më të madhe detare do të jetë e mjaftueshme për të parandaluar plotësisht sulmet.

Huti të cilët kontrollojnë pjesë të mëdha të Jemenit, e shohin veten si pjesë e një “boshti të rezistencës” së vetëshpallur dhe të drejtuar kundër Izraelit. Përveç Hamasit radikal, ekziston edhe Hezbollahu në Liban, i cili gjithashtu mbështetet nga Irani./DW

Lexo gjithashtu
Total
0
Share