Të paktën 11 vetë u vranë të shtunën nga sulmet e Rusisë në provincën e Donetskut në Ukrainë, tha guvernatori rajonal Vadym Filashkin. Pesë fëmijë janë në mesin e viktimave dhe tetë persona të tjerë u plagosën në sulmin në distriktin Pekrovski.
Ndërkohë Ukraina njoftoi se ka sulmuar me sukses bazën ajrore ruse në perëndim të gadishullit të Krimesë, të pushtuar nga Rusia.
“Të gjitha objektivat në aeroportin Saki janë goditur”, thuhet në një postim në Telegram të komandantit të forcave ajrore Mykola Oleshchuk. Ai gjithashtu publikoi një foto në të cilët duket baza ajrore, por kjo nuk ishte menjëherë e mundur të vërtetohej.
Zyrtarët rusë nuk komentuan menjëherë për sulmin, por ministria ruse e mbrojtjes tha se në orët e para të së shtunës kishte rrëzuar katër raketa ukrainase. Më vonë të shtunën, ministria ruse njoftoi se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi gjashtë raketa kundër anijeve mbi Detin e Zi.
Trafiku u pezullua përkohësisht në ditën e tretë radhazi mbi urën që lidh gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e mori në mënyrë të paligjshme në vitin 2014, së bashku me rajonin jugor të Krasnodarit. Këto rajone janë të rëndësishme për furnizimin e trupave ruse në luftën në Ukrainë.
Zyrtarët e qytetit rus të Belgorodit, rreth 40 kilometra larg kufirit me Ukrainën, thanë se katër një raketë ukrainase u rrëzua ndërsa ajo po lëvizte në drejtim të qytetit. Rreth 25 njerëz humbën jetën në sulmet ukrainase të 30 dhjetorit në Belgorod, thanë zyrtarët. Sipas tyre sulmet me raketa dhe dronë ndaj qytetit kanë vazhduar gjatë gjithë javës.
Ndërsa rusët përgatiten të festojnë krishtlindjet ortodokse, në Belgorod janë anuluar të gjitha planet për festime, tha kryetari i bashkisë së qytetit, Valentin Deimdov./VOA