Lideri i opozitës në Korenë e Jugut u godit me thikë në qafë gjatë një konference për shtyp në qytetin Busan.
Sipas mediave vendase, Lee Jae-myung u sulmua nga një burrë që ndodhej në mesin e turmës, i cili iu afrua për t’i kërkuar një autograf dhe papritmas ju hodh duke e goditur me thikë në qafë në anën e majtë.
Autori u neutralizua dhe u arrestua menjëherë në vendngjarje.
Ndërsa, lideri i opozitës u dërgua me urgjencë në spital përmes helikopterit. Ai ka pësuar një çarje 1 cm në qafë. Autoritetet koreano-jugore thonë se plaga e tij nuk është kërcënuese për jetën.
Autori i sulmit heshti para hetuesve si për identitetin e tij, ashtu edhe për motivin e sulmit.
Partia Demokratike e Koresë së Jugut e Lee Jae-myung reagoi duke dënuar sulmin.
“Ngjarjen e konsiderojmë akt të qartë të shkatërrimit të demokracisë”, tha zëdhënësi i partisë.
Në zgjedhjet e fundit presidenciale, Lee humbi me rezultat të ngushtë përballë rivalit të tij. Ai pritet që të kandidojë edhe në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2027. Lee është akuzuar për korrupsion nga prokuroria, teksa gjykata e ka hedhur poshtë kërkesën që ta mbante në paraburgim. Aktualisht prokurorët e kanë nën hetim për një sërë çështjesh të tjera që lidhen me korrupsionin gjatë kohës kur ka qenë kryebashkiak i qytetit Seongnam. Lee i ka mohuar më herët të gjitha këto akuza.
/tvklan.al