“ZGJEDHJET PRESIDENCIALE DHE PARLAMENTARE DO TË SHPALLEN NË SHKURT”
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se, zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të shpallen në të njëjtin termin, përkatësisht kah mesi i shkurtit, ndërsa pas festave do të fillojnë përgatitje për qeverinë teknike, përcjell KlanM. Duke sqaruar formimin e qeverisë teknike në brifingun e sotëm me gazetarët, Xhaferi tha se nuk ka procedurë të veçantë, por se vlen procedura e zakonshme për zgjedhje të Qeverisë së re.
“Nuk ka procedurë të posaçme sa i përket formimit të qeverisë teknike të këtij lloji i cili doli nga Marrëveshja e Përzhinës. Por në parim, bazë është procedura për zgjedhje të Qeverisë, e cila është e paraparë por nuk duhet të jetë në ato afate dhe kohëzgjatje. Formalisht, sipas rregullores, debati zgjat dy ditë, duhet të planifikohet thirrje e seancës, më pas përgatitje, dorëheqje, procedura paraprake të cilat duhet të përfundojnë që të fillojë seanca në mënyrë adekuate dhe të zgjasë eventualisht deri në ditën e dytë”, tha Talat Xhaferi.
Xhaferi tha se, debati në Kuvend për zgjedhje të qeverisë teknike pritet të fillojë më 27 janar, që të mund të përfundojë më 28 janar.
“Fillimisht do të jetë dorëheqja ime, më pas seanca për zgjedhje të kryetarit të ri të Kuvendit dhe seanca tjetër për zgjedhje të Qeverisë. Për zgjedhje të qeverisë nevojiten 61 vota të deputetëve. Në vetë seancën, pas së cilës konstatohet mbarimi i funksionit të kryetarit të Kuvendit, rendi i ditës në seancë plotësohet me propozim nga 20 deputetët për zgjedhjen e një të riu. Kush mendon të hyjë në qorr sokak, mund të ndodhë edhe të mos sigurohen 61 deputetë. Kujt do t’i përshtatej ajo?”, tha Xhaferi.
Ai shtoi se, pasi të shpallen zgjedhjet, Kuvendi do të funksionojë pasi në këtë rast, zgjedhjet janë në termin të rregullt dhe mandati i Kuvendit është aktiv deri në përfundim, përkatësisht deri në verifikim të përbërjes së re./KlanMacedonia