Shtëpia e Bardhë ka miratuar një paketë tjetër të ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën me vlerë rreth 250 milionë Dollarë. Kjo paketë ndihme përfshin mbrojtjen ajrore, artileri dhe municione të armëve të vogla dhe armë antitank.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken tha në një deklaratë teksa njoftonte paketën e ndihmës se ishte e domosdoshme që Kongresi të vepronte sa më shpejt të jetë e mundur për të çuar para interesat e sigurisë kombëtare duke ndihmuar Ukrainën që të mbrohet dhe të sigurojë të ardhmen e saj.
“Ndihma jonë ka qenë kritike për mbështetjen e partnerëve tanë ukrainas teksa ata mbrojnë vendin dhe lirinë e tyre kundër agresionit të Rusisë”, shtoi Blinken.
Nga ana tjetër, Ukraina ka paralajmëruar se përpjekjet e luftës dhe financat e saj publike janë në rrezik nëse ndihma e mëtejshme përëndimore nuk është e afërt.
Mes një kundërofensive të ngecur në lindje të vendit dhe një linjë kontrolli pak të ndryshuar, zyrtarët ukrainas po përballen me perspektivën e një ngadalësimi të ndihmës nga aleatët në Uashington dhe Evropë. Në fillim të këtij muaji një paketë ndihme prej 50 miliardë Eurosh e BE-së për Ukrainën u bllokua nga Hungaria./tvklan.al