Vendimi i Serbisë për targat, Bislimi: Maskim pas dështimit në Banjskë

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Serbisë, për t’i njohur targat RKS nga 1 Janari i vitit të ardhshëm.

Bislimi, mes tjerash ka thënë se është dashur të kalojnë 18 muaj me tensione e barrikada nga ana e Serbisë, siç tha ai, për të ardhur në përfundimin që është i njëjtë me propozimin fillestar te Kosovës.

“Çështja e targave mbi 10 vite ka qenë marrëveshje e pazbatuar e për 2 vite marrëveshje e përdorur si mjet dhe qëllim për eskalim e destabilizim”, shkroi Bislimi në rrjetin social Facebook.

“Me vendimin për njohjen e targave RKS nga ana e Serbisë, shkon drejt fundit një proces i gjatë i çështjes së targave e mosnjohjes së tyre nga pala serbe. Në shtator 2021, Serbia e përdori këtë çështje për të kërcënuar Kosovën e fluturuar Mig-at përreth kufirit tonë”.

“Me 30 shtator, u arrit marrëveshja për fillimin e punës, në kuadër të së cilës u krijuan grupet teknike, dhe u zhvilluan gjithsej 8 takime në nivel teknik nga tetori 2021 deri në muajin prill 2022”.

Ai theksoi se propozimi i Kosovës që nga fillimi ka qenë që të dyja t’ia njohin targat njëra-tjetrës në modelin aktual.

“Që nga fillimi, pozicioni i delegacionit tonë në Bruksel ishte i qartë: na duhet një zgjidhje e përhershme në linjë me standardet e Bashkimit Evropian dhe propozimi i vetëm i Kosovës si dhe zgjidhja ideale në këtë drejtim ka qenë që Kosova dhe Serbia t’ia njohin targat njëra tjetrës në modelin aktual – të cilat janë në përputhje me standardet e BE-së – e pa asnjë ndryshim. Fatkeqësisht, është dashur të kalojnë 18 muaj me tensione e barrikada nga ana e Serbisë, rezistencë dhe insistim në nivel teknik që stikersat të jenë zgjidhje permanente, si dhe tërheqje nga institucionet në nëntor të vitit të kaluar, për të ardhur në përfundimin që është i njëjtë me propozimin fillestar te Kosovës. Ky është tregues se të gjitha destabilizimet që i ka bërë Serbia, kanë qenë të palogjikshme e të panevojshme, sepse prapë kemi arritur në situatën e njëjtë ku targat janë konvertuar në ato ekzistuese legale dhe tashmë nga 1 janari, Serbia i njeh ato. Gjithashtu duhet të theksojmë dhe rikujtojmë, se ky nuk është konstruktivitet nga ana e Serbisë, por është vetëm maskim që ata duan ta kamuflojnë pas dështimit në Banjskë dhe dështimit të narrativës së tyre të ushqyer për kaq shumë kohë në Bruksel”./klankosova

Lexo gjithashtu
Total
0
Share