BE mirëpret vendimin e Serbisë për targat RKS

Bashkimi Evropian e ka cilësuar si hap pozitiv drejt normalizimit të raporteve vendimin e Serbisë që brenda territorit të saj të lejojë qarkullimin e lirë të veturave me targa të Kosovës, RKS – Republika e Kosovës.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se pret që Kosova të ndërmarrë një vendim të ngjashëm dhe tha se kjo dëshmon se përparimi në procesin e normalizimit të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit “është i mundur”.

“Ne mirëpresim vendimin e Serbisë që zyrtarisht të njohë targat e automjeteve RKS, të lëshuara nga Kosova. Ky vendim është hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit, por edhe zotimeve të mëparshme në kuadër të dialogut që lirinë e lëvizjes. Kjo dëshmon se përparimi në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundur. Po ashtu është një hap i duhur drejt integrimit më të mirë evropian të Ballkanit Perëndimor, që në fund përfitues do të jenë qytetarët e rajonit. Ky vendim hap rrugën për heqjen e plotë të regjimit të letrave ngjitëse [sticker]. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, tha Stano përmes një përgjigje me shkrim.

Më 25 dhjetor, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, kumtoi lajmin se nga 1 janari i vitit 2024, veturave me targa RKS do t’u mundësohet lëvizja e lirë në territorin e Serbisë.

Megjithatë, ai nuk specifikoi nëse targat e veturave do të mbulohen me letra ngjitëse kur të kalojnë kufirin, praktikë që aktualisht zbatohet.

Për çështjen e lëvizjes së Lirë, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje më 2011, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

Para praktikës së letrave ngjitëse, automjetet me targa RKS detyroheshin të merrnin targa provuese në kufirin me Serbinë, që vlenin 60 ditë dhe kushtonin 5 euro. Por, më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit, që detyroi edhe shoferët nga Serbia ta kalonin të njëjtën procedurë për të hyrë në Kosovë.

Por, kjo masë nxiti pakënaqësi në mesin e popullatës serbe në Kosovë, të cilët bllokuan rrugët që çonin në pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Për të ulur tensionet, me ndërmjetësimin e bllokut, më 30 shtator 2021, u arrit marrëveshja e përkohshme për targat. Kjo marrëveshje, që kishte për qëllim të ishte në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjatë, bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share