Shumica e tyre i bëjnë thirrje presidentit amerikan, Biden t’i ndihmojë
Mijëra emigrantë janë larguar nga qyteti Tapachula në Meksikën jugore me shpresën për të arritur në Shtetet e Bashkuara.
Në krye të karvanit ishin emigrantët që mbanin një kryq, një flamur meksikan dhe një pankartë të madhe ku shkruhej “Eksodi i varfërisë”. Disa prej tyre i bënin thirrje presidentit amerikan Joe Biden për ndihmë.
Sipas OKB-së, emigrantët po shkojnë përmes Meksikës në SHBA për t’i shpëtuar dhunës, problemeve ekonomike dhe ndikimeve negative të ndryshimeve klimatike.
“Nuk kam asnjë dokument. Jam lodhur duke qëndruar në Tapachula pa punë, i uritur dhe duke paguar qeranë e shtëpisë. Nuk është e lehtë.”
Të tjerë emigrantë shprehen se autoritetet meksikane kanë ushtruar dhunë dhe i kanë keqtrajtuar teksa kalojnë kufirin. Në anën tjetër të lumit Rio Grande që shërben si kufi natyror, emigrantët prisnin pas telave me gjemba.
“Na marrin paratë, godasin gra dhe fëmijë. Nuk u intereson asgjë. Policia meksikane dhe autoritetet e emigracionit na ndjekin. Atyre nuk u intereson nëse ne na përplas treni.”
Autoritetet lokale vlerësojnë se rreth 8000 njerëz nga Amerika Qendrore dhe Jugore, por edhe nga Karaibet kalojnë shpresojnë të arrijnë në SHBA. Disa pika kufitare janë mbyllur kohët e fundit për shkak të rritjes së numrit të emigrantëve.
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se presidenti Joe Biden dhe homologu i tij meksikan, Andrés Manuel López Obrador, ndanë shqetësimin për rritjen dramatike të emigrantëve që kalojnë kufirin e tyre të përbashkët.
Numri i personave të kapur në kufirin jugor të SHBA-së i kaloi dy milionë si në vitin 2022 ashtu edhe në 2023. Vetëm në shtator të këtij viti, patrulla kufitare e SHBA-së kapi bllokoi më shumë se 200 mijë emigrantë që kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.