Egjipti propozon formulë të re armëpushimi

Krishtlindjet u përgjakën pasi 78 persona u vranë në një kamp në qendër të Rripit të Gazës

Egjipti ka propozuar një formulë të re për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit. Propozimi i ri do të zbatohej në tre pjesë ku në fazën e parë do të kishte një pauzë humanitare prej shtatë deri në dhjetë ditë gjatë së cilës Hamasi do të lironte të gjithë pengjet civilë në këmbim të disa të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

Në fazën e dytë njëjavore, Hamasi do të lirojë të gjitha ushtarët femra izraelite në këmbim të më shumë të burgosurve dhe shkëmbimit të pengjeve të mbajtura që nga 7 Tetori. Faza e tretë, e cila do të zgjaste një muaj, do të shihte lirimin e të gjithë personelit ushtarak të mbajtur nga Hamasi në këmbim të shumë më tepër të burgosurve dhe tërheqjes së Izraelit nga kufijtë e Gazës. Negociatat do të mbahen në Egjipt me pjesëmarrjen e Katarit dhe SHBA-së.

Ndërkaq këto Krishtlindje u përgjakën mëngjesin e kësaj të hëne. Një sulm ajror izraelit vrau të paktën 78 njerëz në kampin e refugjatëve Al-Maghazi në qendër të Rripit të Gazës.

Autoritet kanë bërë të ditur se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet duke pasur parasysh numrin e madh të familjeve që jetojnë në zonë. Dhjetëra njerëz të plagosur u dërguan me urgjencë nga Maghazi në spitalin e afërt Al-Aksa.

Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze thotë se sulmet ajrore intensive izraelite kanë çuar në mbylljen e rrugëve kryesore midis Maghazi dhe dy kampeve të tjera të refugjatëve, Al-Bureij dhe Al-Nuseirat, duke penguar punën e ambulancave dhe ekipeve të shpëtimit.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë, më shumë se 20,000 njerëz janë vrarë kryesisht fëmijë dhe gra dhe 54,000 janë plagosur në Gaza që nga 7 Tetori, kur Hamasi dhe grupet e tjera palestineze sulmuan Izraelin, duke vrarë 1400 njerëz dhe duke marrë rreth 240 pengje. Ushtria izraelite ka bërë të ditur se po zhvillon një luftë komplekse. Pesë trupa të robërve të vdekur janë nxjerrë nga një tunel në Gazën veriore.

OKB thotë se rreth dy milionë njerëz në Gaza po përballen me mungesë të madhe ushqimi dhe uji. 96 % e furnizimit me ujë është i papërshtatshëm për konsum njerëzor. Forcat izraelite kanë bombarduar puse dhe impiante shkripëzimi në veri të Gazës.

Ndërkaq luftimet vijojnë edhe në Bregun Perëndimor. Të paktën 20 persona u arrestuan në një bastisje izraelite në fshatin al-Jalama, në verilindje të Jeninit. Sulme pati gjithashtu edhe në fshatin Burqa, në veriperëndim të Nablusit në Bregun Perëndimor.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share