Gjurmues për mbetjet në hapësirë

Një kompani e re në Britani shpreson që paisjet me teknologjinë e saj të re do të mund të gjurmojnë mbeturinat në hapësirë që përbëjnë rrezik. Bëhet fjalë për pjesët me përmasa mbi një milimetër, të cilat mund të rrezikojnë satelitët dhe anijet hapësinore, ndërsa zhvendosen me shpejtësi shumë të madhe.

Pjesët e mbetura në hapësirë krijohen nga përplasjet mes satelitëve dhe nga mbetjet hapësinore, të cilat mund të krijojnë “re” të mëdha materialesh që mund të lëvizin me shpejtësi më të madhe se të një plumbi.

“Po, është e rrezikshme. Dhe po bëhet edhe më e rrezikshme. Pra është një problem eksponencial”, thotë bashkëthemeluesi i kompanisë “ODIN Space”, Dan Terret.

Mijëra satelitë komercialë lëshohen në orbitën e Tokës me ritme rekord, duke shtuar kështu rrezikun nga përplasjet që mund të krijojnë grumbujt e pjesëve të mbetura.

Deri më tani nuk kanë patur rezultat përpjekjet për t’i gjurmuar këto mbetje, qoftë edhe ato me përmasat më të vogla. Por kompania “ODIN Space” ka projektuar një sistem gjurmimi që mund të identifikojë pjesë të vogla deri në përmasa prej 0.1 mm, dhe madje edhe nëse janë duke udhëtuar me shpejtësi prej mijëra metrash në sekondë.

“Udhëtojnë me kaq shpejtësi sa që përbëjnë rrezik për satelitët dhe prandaj ka shumë rëndësi që sateliti të gjendet në orbitën e duhur, që të jetë i mbrojtur siç duhet”, thotë zoti Terret.

Rishtazi, agjencia rregullatore për hapësirën vendosi gjobën e parë ndaj një kompanie që nuk arriti të tërheqë nga orbita një satelit të prishur që përbënte rrezik për satelitët e tjerë. Kompania “ODIN Space” thotë se pjesët më të mëdha, ato me përmasa mbi 1 centimetër, gjurmohen nga radarë dhe satelitë të caktuar. Por pjesët më të vogla prej vetëm disa milimetrash mund të shkaktojnë dëm të madh, ndërkohë që janë pothuajse të padukshme ndërsa lëvizin me shpejtësi të madhe.

Kompania thotë se ka gjetur mënyrat për të vrojtuar për pjesëzat më të vogla.

“Dërgojmë në hapësirë panele të tillë. Montohen në pjesët e jashtme të satelitëve dhe kur pjesët godasin satelitin, ato kalojnë përmes këtyre paneleve. Mund t’i analizojmë të dhënat për të ditur se sa të mëdha janë pjesët që godasin, me çfarë shpejtësie udhëtojnë, në cilin drejtim dhe e arrijmë të gjithë këtë nëpërmjet sinjaleve akustike”, thotë James New, drejtor ekzekutiv i kompanisë “ODIN Space”.

Panelet janë të projektuara të vendosen në të gjitha llojet e mjeteve hapësinore, duke krijuar kështu një rrjet sensorësh që japin një pamje në kohë reale të mjedisit në orbitë.

“Ideja është që ne nuk po shtojmë satelitë në orbitë, nuk po e shtojmë problemin. Po krijojmë sensorë që janë aq të lehtë sa që mund të vendosen në satelitët e tjerë. Kështu mund ta shfrytëzojmë për mirë fuqinë e rritjes së jashtëzakonshme në industrinë e hapësirës”, thotë zoti Terret.

Sensorët e parë të kompanisë u nisën këtë qershor së bashku me një satelit të vogël italian dhe do të fillojnë mbledhjen e të dhënave.

“43% e satelitëve që gjenden në hapësirë janë nisur gjatë tre viteve të fundit dhe kjo vetëm do të rritet, me 100 mijë satelitë më shumë në orbitë deri në vitin 2030”, thotë zoti Terret.

Kompania thotë se dëshiron të shfrytëzojë këtë rritje galopante për të instaluar sa më shumë sensorë në hapësirë, të cilët do të ndihmojnë të gjitha kompanitë që veprojnë në industrinë e hapësirës./VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share