“Marrëveshja bazike duhet të nënshkruhet në Mars”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është kundërpërgjigjur emisarit të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se draft-statuti për Asociacionin nuk ka nevojë për nënshkrim pasi është çështje e brendshme e Kosovës.
Kurti ka ofruar mundësinë që vitin e ardhshëm ai të shkruajë një draft modern evropian të statutit të Asociacionit të Komunave më Shumicë Serbe ndërsa ka renditur 7 pika për normalizimin e marrëdhënieve.
“Meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi. Marrëveshja Bazike për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 Mars 2024”.
E Presidentja Vjosa Osmani pas takimit që zhvilloi me presidentin e Bullgarisë tha se ka tendenca që BE mund të shfrytëzoj masat e vendosura ndaj Kosovës për të bërë presion për zbatimin e Asociacionit.
Presidenti bullgar i pyetur për situatën me Serbinë, ka theksuar se Serbia nuk duhet të harrojë që është në proces integrues në BE dhe kjo mund të ndikojë varësisht nga sjellja e saj me Kosovën.
“Ne këmbëngulim për dialog si mënyrë e vetme për zgjidhjen e problemeve dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, kjo është e vetmja rrugë”.
Osmani tha se çdo hezitim për pranimin e Kosovës në BE e NATO jep mundësi destabilizimi jo vetëm në Kosovë.
Tv Klan