OSMANI: DËSHMUAM PARA BOTËS SE KEMI KAPACITET POLITIK
SHBA-të inkurajojnë Maqedoninë e Veriut që t`i ndërmarrë të gjitha masat që të arrihet e ardhmja më e mirë e mundshme për vendin – thonë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Sipas tyre, kjo nënkupton reforma në sektorin gjyqësor, shëndetësor dhe arsimor.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Entoni Blinken dhe Ndihmës Sekretari Shtetëror për Evropë dhe Euroazi, Xhejms O`Brajan gjatë vizitës së paradokohshme në Maqedoni të Veriut, potencuan se cila është rruga që duhet ndjekur për progresin e vendit – ka deklaruar zëdhënësi i DASH-it.
Në pyetjen nëse diplomacia amerikane ndihmon në tejkalimin e qorrsokakut rreth pamundësisë që të votohen ndryshimet kushtetuese si parakusht për progres të negociatave aderuese me BE-në, zëdhënësi ka theksuar se përgjigja duhet të kërkohet në zgjedhjet e ardhshme.
“Shpresojmë se në zgjedhjet e ardhshme votuesit do të kërkojnë transparencë dhe përgjegjësi nga personat e zgjedhur dhe do të kërkojnë një vend më të fuqishëm, më prosperues që e meritojnë” – thonë nga DASH.
Dëshmuam para gjithë botës se posedojmë kapacitet politik dhe praktik, profesionalizëm dhe përkushtim që kulminuan me organizimin e Samitit të OSBE-së në Shkup – tha Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, gjatë shënimit të përfundimit të presidencës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në.
Ministri Osmani në profilin e tij në Facebook ka publikuar edhe letrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Entoni Blinken, ku ai ka uruar për lidershipin me OSBE-në, sic shkruan, në kohë të sfidave dhe momenteve historike për organizatën. /KlanMacedonia/