Ligjet e reja të miratuara nga qeveria e që kanë të bëjnë me reformën e Administratës Shtetërore, sipas Azir Aliut, janë në përputhje me vlerat evropiane dhe janë përgatitur nga ekspertë të vendit dhe nga jashtë. Në Klan Debat, Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë sqaron rëndësinë e sjelljes së këtyre ligjeve dhe ndikimin e tyre në punën e administratës.
“Si risi është Ligji për Akademinë për Administratën Publike që asnjëherë nuk ka ekzistuar në shtetin tonë. Është akademi për trajnime joformale për administratën shtetërore ku secili i punësuar në administratën shtetërore do të duhet gjatë vitit të parë të punësimit të kalojë 120 orë në këtë akademi me 10 module të ndryshme dhe pastaj në fund do të duhet t’i nënshtrohet provimit me shkrim dhe me gojë. Nëse nuk e kalon provimin ai automatikisht e humb vendin e punës”, sqaron ministri Aliu në Klan Debat me Xhumadije Ibraimin./KlanMacedonia