Poliklinika e Sarajit mbetet në vendnumëro!

MEXHITI: SË SHPEJTI DO TË BËJMË HAPJEN SOLEMNE

Poliklinika e Sarajit u është premtuar banorëve të kësaj zone që në vitin 2018. Megjithatë ende nuk ka filluar me punë. Objekti është ende jofunksional dhe mbi 40 mijë banorë marrin shërbime në klinika private.

I pyetur nga KLAN MAQEDONI, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti deklaroi se së shpejti do të bëhet edhe hapja solemne e Klinikës. Megjithatë ai nuk dha datë konkrete se kur qytetarët e Sarajit do të mund të marrin shërbime shëndetësore në këtë Klinikë.

A janë zgjidhur problemet teknike në Poliklinikën e Sarajit dhe kur do të vendoset në Funksion?

“Janë zgjedhur. Së shpejti mendoj se do të bëjmë hapjen solemne të Poliklinikës në Saraj”, tha Fatmir Mexhiti

A ka datë të caktuar se kur? – Matilda Bakiu, gazetare e Klan Maqedoni.

“Për momentin jo por shumë shpejt do të jetë”, tha Fatmir Mexhiti.

Ndërtimi i Klinikës së Sarajit është premtuar gjashtë vite më parë dhe duhej të fillojë me punë maj të vitit 2023. Por edhe pse objekti u ndërtua, nuk mund të vendoset në funksion, për shkak se siç kanë thënë edhe vetë autoritetet, kanë hasur në shumë probleme me pajisjen me mjetet e duhura por edhe gjetjen e punonjësve përkatës në poliklinikë. Nga Ministria kanë njoftuar se për funksionimin e plotë të poliklinikës, nevojiten të paktën 26 punëtorë nga gjithsej 54 që është parashikuar të punësohen. Poliklinika është parashikuar që të ketë reparte të stomatologjisë, farmacisë, pediatrisë, laboratori, ambulantë dhe dhomë rentgeni./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share