Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, takuan sot 55 studentë përfitues të bursave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, arritje të cilën e festuan nën ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”.
Kryeministri para studentëve u shpreh shumë krenar që ata janë pjesë e universiteteve publike të Kosovës, derisa i uroi suksese të mëtejme.
“Në vitin akademik 2022/2023 kemi ndarë për herë të parë 26 bursa në vlerë 1000 Euro për studentët e vitit të parë universitar nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian. Ndërsa në vitin akademik 2023/2024 po mbështesim me bursa 55 studentë nga këto komunitete, prej tyre 35 vajza dhe 20 djem”, tha kryeministri duke kujtuar se synimi për vitin e ardhshëm është dyfishimi i numrit.
Përveç studentëve, përfitues të bursave në shumë prej 300 eurosh kanë qenë edhe nxënësit e shkollave të mesme. Njëkohësisht, vazhdon të ketë lehtësime për regjistrimin në klasën e 10-të në shkolla profesionale e gjimnaze, si dhe vende te rezervuara për regjistrim të kandidatëve nga komunitetet joshumicë në institucionet e arsimit të lartë.
Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbëri Nagavci, pasi i përgëzoi studentët për përfitimin e bursës, tha se një shoqëri e cila kujdeset për të gjithë qytetarët, një Qeveri e cila ofron mbështetjen e merituar për secilin, dhe një shtet që i krijon kushtet secilit të ri dhe të re ta arrijë maksimumin e potencialit të vet, kanë qenë jo vetëm zotimet tona, por edhe ajo që na ka prijë në programin tonë dhe në jetësimin e këtyre politikave në praktikë.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u shpreh se kjo është Qeveria e parë që i mbështet studentët jo vetëm deklarativisht dhe jo vetëm me rezervimin e një vendi në fakultetet publike, mirëpo edhe një bursë përcjellëse.
Me arsimin në prioritet, Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të angazhohet që për të rinjtë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, të ketë kushte më të mira për mësim dhe mbështetje të nevojshme për të vazhduar studimet dhe ngritjen akademike e profesionale.
Pas fjalimeve hyrëse, u zhvillua edhe bashkëbisedim ndërmjet kryeministrit Kurti, ministrave të pranishëm dhe studentëve përfitues të bursës nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, të cilët ndanë përvojat e tyre, dhe në të njëjtën kohë falënderuan kryeministrin dhe Qeverinë për mbështetjen.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Mirëmëngjesi dhe mirë se po takohemi.
Jemi bashkë këtu me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, dhe me ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqin. Bashkë me mua është edhe këshilltarja ime politike, Elizabeth Gowing.
Të gjithë, duke hyrë në këtë ndërtesë sot, i kemi ngjitur shkallët para nesh dhe çdo shkallë që është përpara neve duket si një e ardhme e parashikueshme, por megjithatë e vështirë. Ndërkaq, çdo shkallë që e kemi kaluar tashmë është një lloj lehtësimi. Ne harrojmë që shkallët që i kemi kaluar, na ka përgatitur për këtë shkallë që vjen, dhe jo vetëm për shkallën në të cilën ndodhemi. Andaj të gjitha vështirësitë që i kalojmë në procesin tonë jetësor e profesional, në fakt, na kalisin për atë që vjen më pas e besoj që kjo vlen për aq shumë aspekte të jetës e posaçërisht mbase për arsimimin dhe edukimin.
Studimet në fakultet janë një arritje e madhe, që vjen po ashtu me një obligim të madh, me përgjegjësi përkatëse. Unë jam këtu për ta festuar këtë arritje me juve por edhe për ta ndarë këtë obligim me juve. Ne si qeveri besojmë se mënyra më e mirë se si një person, një komunitet dhe një shtet mund të përparojë është nëpërmjet arsimit.
Ne e dimë që për të pasur shumë student të mirë siç jeni ju, duhet të investojmë edhe në pjesën e hershme të arsimimit, për shkak se në fëmijërinë e hershme merren bazat e edukimi dhe arsimimit të mëvonshëm. E ndoshta disa prej jush edhe kanë përfituar nga qendrat mësimore, ku mijëra fëmijë nga komunitetet, me këtë ndihmë ngjiten në shkallën e parë të arsimimit. Këtë vit kemi mbështetur me 200 mijë euro këto qendra mësimore në tërë vendin.
Për të bërë sa më të mirë përvojën në nivelin e ulët e të mesëm arsimor, në korrik të këtij viti është lansuar Doracaku për Ndërkulturalizëm në shkollat tona, i cili ofron bazën teorike dhe praktikat e duhura për të realizuar konceptin e ndërkulturalizmit.
Me qëllim të ngritjes së nivelit arsimor, për nxënësit e komuniteteve të ndryshme vazhdojmë të mundësojmë lehtësime për regjistrimin në klasën e 10-të në shkolla profesionale dhe në gjimnaze, pavarësisht nga suksesi në shkollën fillore dhe rezultatet në testin kombëtar të arritshmërisë. Pra, edhe nëse dikush nuk ndjehet se mund të vazhdoj tutje, ne insistojmë që të mos ndaloj.
E dimë se nevojitet mbështetje edhe për të drejtën e arsimimit, veçanërisht për vajzat në rrezik nga martesat e hershme. Andaj edhe këtë muaj kemi themeluar grupin punues ndërinstitucional për parandalimin e martesave të hershme. E në mënyrë që vajzat dhe djemtë të ngjiten në shkallën tjetër të ardhshme të arsimit, ata kanë nevojë posaçërisht për mbështetje në shkollat e mesme. Meqenëse shkollat e mesme janë ajo shkalla e ndërmjetme e cila e mundëson studimin e sigurt, të mirë, të drejtë, në fakultetet e universiteteve të Kosovës.
Për këtë, në vitin shkollor 2021/2022 i kemi ndarë 500 bursa në vlerë prej 300 Euro për nxënësit e shkollave të mesme nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Në vitin 2022/2023 kemi ndarë 498 bursa, ndërkaq për vitin 2023/2024, pra viti shkollor akademik që ka filluar sivjet dhe vazhdon edhe vitin e ardhshëm, i kemi planifikuar 500 bursa. Kësisoj bëhen rreth 1500 bursa për tre vjet.
Çdo vit akademik vazhdon aplikimi i masave afirmative dhe vendeve te rezervuara për regjistrim për kandidatët e komuniteteve joshumicë në institucionet e arsimit të lartë, e krahas këtyre mjeteve, vitin e kaluar kemi filluar të ndajmë mjete enkas për studentët romë, ashkali dhe egjiptianë në universitetet publike, me iniciativën e dy ministrave që ndodhën këtu bashkë me mua, pra Elbert Krasniqi dhe Arbërie Nagavci.
Në vitin akademik 2022/2023 kemi ndarë për herë të parë 26 bursa në vlerë prej 1000 Euro për studentët e vitit të parë universitar nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian. Ndërsa në vitin akademik 2023/2024 po mbështesim me bursa 55 studentë nga këto komunitete, prej tyre 35 vajza dhe 20 djem.
Pra në vitin që shkoi akademik – 26 bursa, ndërkaq në vitin në të cilin ndodhemi e vazhdon edhe në 2024 – 55 bursa për studentë.
Unë jam shumë i lumtur që tash kemi pra më shumë se dyfishin e bursistëve për studentë nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian në këtë vit akademik se sa në atë që lamë pas.
Vitin e ardhshëm synojmë ta dyfishojmë përsëri numrin, pra jo progresion aritmetik, po progesion gjeometrik – dhe jam i sigurt se do ta kemi ndihmën tuaj për këtë. Ju mund të pyesni se çfarë na duhet ndihma për të shtuar numrin e bursave, kur numrin e bursave e shton Qeveria. Në shikim të parë, në mënyrë tërësisht të njëanshme, është programi dhe vullneti, dhe bëhet. Mirëpo ne kemi shumë nevojë për juve sepse ju mund të ndani me krenari arritjet tuaja në studime e të jeni shembull për motrat e vëllezërit, për shokët e shoqet tuaja.
Ju mund t’i frymëzoni ata, pasi keni përballuar me sukses sfidat që u kanë dalë rrugës. Ne jemi shumë krenar që ju jeni tash pjesë e universiteteve publike të Kosovës. Ju uroj suksese për veten tuaj, suksese për komunitetet tuaja, dhe suksese për Kosovën ku mund të kontribuoni me aftësitë dhe njohuritë që po i fitoni. Të arriturat tuaja, suksesi juaj, bëhet inspirim për ata që vijnë pas jush e për të cilët ne zotohemi se do të shtojmë vazhdimisht numrin e bursave.
Ne kemi interes, jo vetëm gatishmëri që sa më shumë djem e vajza të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, të vijnë në universitete në Kosovë të studiojnë, dhe tash e kemi bërë siç e dini arsimimin e lartë universitar falas. Pra për studime nuk paguhet, janë pagesat për jetesë e për banesë, mirëpo jo për studime. Arsimi publik i lartë është falas, dhe ne kemi edhe interesimin edhe gatishmërinë që sa më shumë motra e vëllezër, shoqe e shokë të komunitetit tuaj të vijnë në universitete dhe të pajisen me diplomë dhe të përfitojnë e kontribuojnë për vetën e tyre, për familjen, për shoqërinë dhe për shtetin tonë.
Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të angazhohet që të keni kushte më të mira për mësim, dhe mbështetjen e nevojshme, për të vazhduar studimet tuaja dhe ngritjen tuaj akademike e profesionale.