“Stuhi” polare: Reshje dëbore, erë Veriu dhe temperatura nën zeron!

RESHJET E BORËS SHKAKTOJNË TELASHE NË TRAFIK

Disa rajone të vendit janë zgjuar me shtresë të re dëbore. Reshje intensive ka pasur në viset malore.

Sipas metereologëve, siç njofton Klan M, temperatura më e ulët prej minus 5 gradë celsius është shënuar në Kodrën e Diellit, kurse trashësia e dëborës në këtë vend turistik shkon drejt 50 centimetrave.

Por, jo vetëm kaq! Nëse dëshironi të shkoni në këtë qendër turistike, të obligueshme janë pajisjet dimërore – thonë nga Lidhja Auto Moto.

”Siç e shihni bora e parë ka ra, kemi trashësi gati 40 centimetra, sezoni veç më ka filluar ne jemi gati. Prenotimet veç i kemi, kemi nga jashtë shumë, presim sezon të suksesshëm” – thotë një pronar i objektit hotelierik në Kodrën e Diellit.

Dikush në këmbë, dikush me autobus e me transport të organizuar, qytetarët në kërkim të “idilës dimërore” në Kodrën e Diellit.

”Turist sot ka por janë pak, mirëpo nëse bie borë më shumë do të vijnë turistët” – tha një turist.

”Kam ardhur prej Shkupi, ndëgjuam se kishte ra borë dhe erdhëm për vizitë, pamje mirë, atmosferë e mirë” – tha një turist.

Shtresë dëbore prej mbi 40 centimetra janë shënuar edhe në Anet e Mavrovës dhe në Krushevë, njofton Klan M.

Nëpër rrjetet sociale shpërndahen pamje të reshjeve të borës dhe idilës dimërore në disa qytete. Pamjet që po I shihni janë nga Berova…

Pamje tjera vijnë edhe nga Mavrova…

Kurse kjo fotografi është shkrepur në Krushevë.

Por, siç njofton Klan M, reshjet e borës kanë shkaktuar edhe telashe në trafik. Autoritetet e Ndërmarrjes Publike “Rrugët e Maqedonisë” kanë mbyllur disa rrugë malore për shkak të reshjeve intensive të borës. Bëhet fjalë për rajonin e Berovës.

Metereologët thonë se vala e reshjeve të dëborës do të zgjerohet në pjesën më të madhe të vendit. Në disa qytete do të formohet shtresë dëbore, kurse në viset malore dhe qendrat e skijimit trashësia e borës do të tejkalojë 50 centimetra.

E gjithë kjo do të shoqërohet me erë të përforcuar nga veriu që do të rezultojë me ulje të ndjeshme të temperaturave dhe paraqitjen e ngricave. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share