Dëshpërimi ka përfshirë banorët e Gazës ku mungesa e ushqimit po vret njerëz, 33 të vrarë në Khan Younis
Ushtria izraelite ka gjetur te vrare trupat e dy ushtarëve izraelitë që u rrëmbyen gjatë sulmeve e Hamas më 7 tetor të cilët dhe u mbajtën rob në Gaza.
Pengjet u identifikuan si Nik Beiser, 19 vjeç dhe Ron Sherman, 19 vjeç. Dy ushtarët u morën peng ndërsa shërbenin në Shtabin e Policisë në Gaza. Kjo vjen disa orë pasi Izraeli gjeti trupin e Elia Toledano, 28 vjeç, e cila u mor peng nga Hamasi nga festivali muzikor Supernova.
Ndërkaq Hamasi iu është përgjigjur ushtrisë izraelite se tunelet nënëtokësore ku dyshohen se mbahen edhe pengjet janë ndërtuar për t’i rezistuar përmbytjeve dhe janë marrë parasysh të gjitha pasojat dhe sulmet e planifikuara. Ushtria izraelite bëri përpjekjen e parë për të përmbytur një tunel ushtarak të Hamasit në sektorin verior të Rripit të Gazës me ujë të marrë nga deti.
Ndërkaq Izraeli ka vazhduar bombardimet e përgjakshme në të gjithë Rripin e Gazës ku në mesin e të vrarëve janë edhe fëmijë. Një sulm në një shkollë në Khan Younis i ka marrë jetën 33 personave dhe ka plagosur qindra të tjerë.
Sulmet ajrore vranë dhe plagosën njerëz në Rafah, ku u shkatërrua edhe një bllok banesash. Izraeli beson se liderët e Hamasit po fshihen në jug të Rripit të Gazës. Rrjetet e internetit dhe telefonit nëpër territorin palestinez u shkatërruan sërish.
Banorët në Gaza janë të dëshpëruar për ushqim, teksa uria ka përfshirë të gjithë vendin. Pamjet e shpërndara ne rrjete sociale tregojnë vuajtjet e familjeve palestineze të zhvendosura nga lufta dhe vështirësinë për të siguruar ushqim.
“Kjo tregon sesa të dëshpëruar dhe të uritur janë ata,” tha Philippe Lazzarini, kreu i Agjencisë së OKB-së për Ndihmë dhe Punë, në një konferencë shtypi në Gjenevë. Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së ka thënë se gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës po vdes nga uria pasi sulmi ushtarak i Izraelit në pjesën jugore të enklavës zgjerohet dhe njerëzit janë ndërprerë nga furnizimet.
Ndërkaq gjatë vizitës në Izrael Jake Sullivan, këshilltari për sigurinë kombëtare i SHBA, kërkoi të zvogëlohen dallimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit rreth luftës kundër Hamasit në Gaza.
“Dallimi mes popullit të pafajshëm palestinez, nga njëra anë, dhe Hamasit nga ana tjetër, nuk është vetëm një çështje morale. Është gjithashtu një çështje strategjike për Izraelin dhe mendoj se homologët e mi izraelitë nuk e pranuan vetëm këtë, ata treguan shumë se qëllimi i tyre është të përpiqen të bëjnë dallimin midis palestinezëve të pafajshëm dhe Hamasit. Ne do të vazhdojmë të ritheksojmë, publikisht dhe privatisht, angazhimin tonë ndaj nocionit se çdo jetë e pafajshme duhet të jetë e shenjtë dhe duhet mbrojtur.”
Sulivan duke i përshkruar luftimet aktuale si me intensitet të lartë u shpreh se lufta tanimë do të jetë me faza ku njëra do të fokusohet në shënjestrimin e atyre që e drejtojnë dhe se kjo luftë kundër grupit terrorist do të marrë kohë.
Klan News