VALA VJEN TË PREMTEN DHE TË SHTUNËN – RESHJE BORE EDHE NËPËR QYTETE
Kalendarisht dimri ende nuk ka mbërritur, por në vendin tonë vjen vala e dytë e reshjeve të dëborës.
Metereologët thonë se kjo valë do të zgjasë dy ditë, të premten dhe të shtunën, ku në pjesën më të madhe të vendit priten reshje intensive të dëborës. Përjashtime do të ketë në pjesët qendrore dhe juglindore ku priten reshje shiu.
Në viset malore dhe në qendrat e skijimit deri të shtunën në mbrëmje do të krijohet shtresë dëbore nga 20 deri 30 centimetra, diku edhe rreth 50 cm.
Edhe në vendet më të ulëta do të krijohet shtresë dëbore që do të shkojë deri në 10 centimetra, kurse të shtunën reshje dëbore do të ketë edhe në viset që gjenden nën 50 metra lartësi mbidetare, që do të thotë se edhe qytetet më të mëdha të vendit do të përfshihen nga dëbora.
Nëpër rrjete sociale shpërndahen fotografi dhe pamje të reshjeve të dëborës që kanë kapluar vise të Evropës por edhe të rajonit, valë e cila nga veriu do ta përshijë edhe vendin tonë gjatë fundjavës.
Temperaturat gjatë fundjavës, vecanërisht në mëngjes do të ulen deri në minus 10 gradë. Moti I ftohtë do të mbretërojë edhe gjatë ditës, ku vende – vende do të jenë rreth zeros, gjithë kjo e shoqëruar me erë të përforcuar nga drejtimi verior. /KlanMacedonia/