Greqia, Shqipërisë: Pa marrjen e detyrës nga Fredi Beleri dhe gjykim të drejtë, nuk ka progres të mëtejshëm për Shqipërinë në integrimin europian

Burime zyrtare të Bashkimit Europian njoftojnë, se konfereca  e dytë ndërqeveritare midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, që pritej të mbahej para fundit të ketij viti, has në qëndrimin e prerë të  Greqisë.

Këto burime shprehen për Klan Tv, se qeveria greke nuk do lëshojë pe dhe i përmbahet një deklarate të prezantuar në letër përmes ambasadorit grek në gjin e ambasadorëve të përhershëm të Bashkimit Europian. Në këtë letër, autoritetet greke, kanë kushtëzuar hapin e ardhshëm të integrimit europian të Shqipërisë me fillimin e detyrës si kryebashkiak i Himarës të Fredi Belerit dhe repektimin e të drejtës së tij për një gjykim të drejtë dhe prezumim të pafajsisë, i cili mbahet prej 7 muajsh në paraburgim për akuzën “ korrupion aktiv” për shitblerjen e votave. Për këtë arsye, anonçimi i konferencës së dytë ndërqeveritare që pritej të figuronte  në konkluzionet e takimit të këshillit të çështjeve tê përgjithshme të Bashkimit Europian të 12 dhjetorit nuk figuroi.

Cfarë përmban deklarata e aurtoriteteve greke?

Në deklaratën e autoriteteve greke thuhet se Greqia ruan rezervat e saj të forta në lidhje me rezultatin e Shqipërisë për procesin e ekzaminimit legjislativ të  grupkapitullit të parë të negociatave të anëtarësimit për shkak të rastit të z. Fredi Beleris, që përbën një shkelje të hapur të shtetit ligjor dhe politikës së të drejtave të qytetarëve shqiptarë, veçanërisht të pjesëtarëve të pakicës greke.

Autoritetet greke vlerësojnë, se gjatë periudhës parazgjedhore, z. Beleris dhe kandidatura e tij janë veçuar vazhdimisht nga lidershipi politik shqiptar në një sërë sulmesh të drejtpërdrejta verbale.

Sipas tyre, arrestimi i Belerit ngre shqetësime serioze duke përfshirë praktikën diskriminuese kundrejt një anëtari të një pakice etnike të mbrojtura nga e drejta ndërkombëtare, të cilit  i është mohuar e drejta politike si kryebashkiak për të marrë detyrat e tij. Në deklaratë, auroritet greke theksojnë; se sipas ligjit shqiptar, marrja e detyrës nuk duhet të jetë paragjykuese për procesin ose rezultatin e gjykimeve në pritje, duke qenë se marrja e detyrës thjesht përbën një akt të thjeshtë administrativ, i cili nuk ndërhyn në pavarësinë e gjyqësorit.

Autoritetet greke vlerësojnë, se duke penguar kryetarin e zgjedhur z. Beleris nga betimi përbën një vendim politik të ndërgjegjshëm nga qeveria shqiptare që  reflekton mospërfilljen e parimeve themelore të shtetit të së drejtës. Kjo sipas autoriteteve greke bie ndesh me vlerat e përbashkëta evropiane, me kriteret e anëtarësimit dhe arritjes së deritanishme legjislative të BE-së ‘acquis’, të cilat për Greqinë janë të panegociueshme. Greqia pret që Shqipëria të marrë masa konkrete dhe të menjëhershme për marrjen e detyrës së z. Beleris dhe për respektimin e të drejtës së tij për një gjykim të drejtë dhe prezumimin e pafajësisë. Përndryshe, sipas deklaratës, Greqia nuk do të jetë në gjendje të pajtohet me fazat e ardhshme të anëtarësimit proces, duke përfshirë miratimin e vlerësimit të standardeve të pazgjidhura.

 

Erisa Zykaj, Tv Klan – Bruksel

Lexo gjithashtu
Total
0
Share