Ende asnjë njoftim për vendndodhjen e Alexei Navalnit

Një zëdhënëse e Alexei Navalnit tha se humbja e kontakteve me udhëheqësin e burgosur të opozitës ruse, ka të ngjarë të sinjalizojë përpjekjet e Kremlinit për të forcuar izolimin e tij, ndërsa Vladimir Putini kandidon për një tjetër mandat presidencial, në zgjedhjet që pritet të zhvillohen marsin e ardhshëm.

Zëdhënësja Kira Yarmysh tha se aleatët e zotit Navalny nuk kanë mundur të komunikojnë me të prej një jave dhe zyrtarët e burgut të sigurisë së lartë në lindje të Moskës thanë se ai është transferuar, por pa thënë se ku. Në Rusi, procesi i transferimit të të burgosursve mbahet sekret. Autoritetet nuk japin informacion për vendndodhjen e të dënuarve për javë të tëra, derisa ata të zhvendosen në një tjetër qendër të vuajtjes së dënimit, ku mund të takohen me të afërmit dhe avokatët e tyre.

Dje, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller tha se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për mirëqenien e zotit Navalny.

“I kemi komunikuar qeverisë ruse se është përgjegjëse për atë që mund t’i ndodhë zotit Navalny për sa kohë që gjendet në burg dhe se faktori ndërkombëtar do të mbajë përgjegjëse qeverinë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Alexei Navalni u dënua në gusht me 19 vjet burg nën akuzat për veprimtari ekstremiste. Ai cilësohet si kundërshtari më i fortë i Presidentit Putin./VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share