I përkiste dy organizatave kriminale nga Ballkani
Marina Kolumbiane në koordinim me 42 shtete të tjera kanë goditur një rrjet të gjerë të trafikut ndërkombëtar të drogës të përbërë nga grupe të ndryshme kriminale që vepronin në 4 kontinente.
Nga ky operacion janë sekuestruar mbi 380 ton drogë të llojeve të ndryshme. Operacioni i mbështetur nga 102 institucione zgjati 45 ditë dhe Marina kolumbiane bën me dije se gjatë tij u sekuestruan 195 ton kokainë, 175 ton marihuanë dhe 14.5 ton hashash të cilat transportoheshin kryesisht në rrugë detare.
Vendet e përfshira në operacion përfshinin SHBA-në, Belgjikën, Spanjën, Indonezinë, Senegalin, Kolumbinë dhe Brazilin.
Vetëm në Spanjë autoritetet policore në dy operacione të ndryshme kapën një sasi rekord prej 11 ton kokanë e ardhur pikërisht nga Amerika e Jugut.
7.5 ton prej tyre u gjetën në një konteiner me peshk të ngrirë në portin veriperëndimor të Vigos.
Në një operacion të dytë, policia gjeti gjithashtu 3.5 ton kokainë të fshehura në konteinerë transporti në portin lindor të Valencias.
Policia spanjolle tha se gjithsej 20 persona që i përkasin dy organizatave me origjinë ballkanike janë arrestuar, ndërsa droga kishte destinacion shpërndarjen në gjithë Europën.
Tv Klan