Shqipëria drejt nisjes konkrete të negociatave të anëtarësimit

Samiti Bashkimi Europian-Ballkan Perêdnimor që do të zhvillohet në 13 dhjetor në Bruksel vjen me një lajm të mirë për Shqipërinë. Kjo është konfirmuar nga burime zyrtare të BE-së për tv Klan.

Bëhet fjalë për anonçimin e mbajtjes së konferencës së dytë ndërqeveritare BE-Shqipëri, që shënon nisjen konkrete të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kjo vjen si rrjedhojë e mbylljes me sukses së procesit të ‘screening’, që është ekzaminimi analitik i legjislacionit të BE-së me atë të vendit. 

Përcaktimi i datës për mbajtjen e kësaj konference pritet të bëhet nga presidenca spanjolle e BE-së në konkluzionet e takimit të 27 ministrave të çështjeve europiane, që do të mbahet në 12 dhjetor, një ditë para samitit BE-Ballkan.

Samiti do të konfirmojë gjithashtu nisjen e qarkullimit të lirë afatshkurtër në zonën Shengen për qytetarët e Kosovës nga janari 2024.

Për vendet e tjera, samiti nuk vjen me lajme pozitive. Maqedonia e Veriut nuk arrin të marrë një datë për konferencën e dytë ndërqeveritare BE-Maqedoni e Veriut për shkak të papërmbushjes së parakushtit lidhur me ndryshimet kushtetuese për minoritetet në vend.

Burimet zyrtare të BE-së bëjnë të kuptohet se ka gjasa të ketë një ndryshim lidhur me këtë deri në fund të këtij viti. Bosnja nuk ka arritur ende të përmbushë 14 prioritetet e përcaktuara për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE dhe Komisioni Europian do të bëjë vlerësimin e tyre sërish në mars, ngaku mund t’i hapet rruga nisjes së negociatave të anëtarësimit të vendit në BE. Mali i Zi pritet të përmbushë kriteret e kapitullit 23 dhe 24 të negociatave të anëtarësimit vitin e ardhshëm, gjë që do të mundësonte fillimin e mbylljes të gjithë grupkapitujve të negociatave të anëtarësimit. Serbia dhe Kosova do të marrin mesazhin e qartë, se pa progres në dialog, progresi në procesin e integrimit europian do të çalojë. Për Serbinë gjithashtu pritet të ketë një gjuhë më të ashpër lidhur me mosradhitje të vendit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

Erisa Zykaj, Tv Klan – Bruksel

Lexo gjithashtu
Total
0
Share