Biden-Kongresit: Ndihmë Ukrainës ose luftë me Rusinë

Presidenti: Fitorja e Rusisë do të nxisë Moskën të sulmojë aleatët e NATO-s

Banorët e Kievit u dyndën në qendrën e qytetit të kryeqytetit për të parë ndezjen e dritave të pemës së Krishtlindjes ndërsa vendi i shkatërruar nga lufta kremton Shën Kollin. Situata është krejt ndryshe në front, ku lufta me pushtuesit rusë po hyn në vitin e tretë.

Ukrainasit kanë nevojë për ndihma të tjera ushtarake dhe sytë janë nga Uashingtoni, ku presidenti Joe Biden iu lut republikanëve për të miratuar pakon e re të ndihmës ushtarake. Ai paralajmëroi se një fitore e Rusisë do ta nxisë Moskën të sulmojë aleatët e NATO-s. Biden foli ndërsa Shtetet e Bashkuara planifikojnë të njoftojnë një ndihmë prej 175 milionë Dollarësh për Ukrainën.

“Nëse Putin merr Ukrainën, ai nuk do të ndalet me kaq”, tha Biden. Putini do të sulmojë një aleat të NATO-s, parashikoi ai, dhe më pas “ne do të kemi trupa amerikane që luftojnë trupat ruse. “Ne nuk mund ta lëmë Putinin të fitojë,” tha ai.

Shtëpia e Bardhë paralajmëroi këtë javë se koha dhe paratë për të ndihmuar Ukrainën të zmbrapsë pushtimin rus janë drejt fundit.

Ndihma për Ukrainën është lidhur nga ligjvënësit me sigurinë e kufirit me Meksikën, një çështje kryesore që ndikon negociatat për financimin e Ukrainës dhe Izraelit.

Republikanët e Dhomës dhe të Senatit po mbështesin rindërtimin e një muri kufitar, plan i ish-presidentit Donald Trump, ndërkohë që konsiderojnë një numër të madh emigrantësh të papërshtatshëm për azil. Ata duan që azilkërkuesit të qëndrojnë në Meksikë derisa të shqyrtohet kërkesa e tyre.

Biden tha se ishte i gatshëm të bëjë kompromise “të rëndësishme” për çështjen e kufirit, por tha se republikanët nuk do të marrin gjithçka që duan. “Ky duhet të jetë një negocim,” tha ai.

Edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin i kërkoi Kongresit të miratojë kërkesën e Presidentit Biden për financimin e sigurisë kombëtare, e cila përfshin ndihmën ushtarake për Ukrainën.

Vërejtjet e tij vijnë pasi Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara mbajnë një konferencë të industrisë ushtarake në Uashington më 6 dhe 7 Dhjetor.

Administrata e Presidentit Biden i kërkoi Kongresit në Tetor gati 106 miliardë Dollarë për të financuar planet ambicioze për Ukrainën, Izraelin dhe sigurinë kufitare të SHBA-së, por republikanët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve me një shumicë të vogël e kundërshtuan paketën.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share