Zelensky anulon konferencën me Senatin Amerikan

Shkak u bë mosmarrëveshjet për mbi financimin e ndihmës ushtarake teksa republikanët dhe demokratët vijojnë të debatojnë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka anuluar një konferencë të profilit të lartë me ligjvënësit amerikanë, në një kohë që financimi i ndihmës ushtarake të SHBA për Ukrainën është në ngërç. Videokonferenca në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve ishin planifikuar për të martën, por u anuluan në momentin e fundit. Kjo erdhi pasi një zyrtar i lartë ukrainas paralajmëroi se ata rrezikojnë të humbin luftën kundër Rusisë nëse nuk miratohet ndihma ushtarake amerikane.

Shefi i shtabit të Zelensky, Andriy Yermak, tha më herët se ekzistonte një “rrezik i madh” se Rusia mund të shfrytëzojë rastin për të bombarduar Ukrainën. Republikanët dhe demokratët kanë debatuar për javë të tëra në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve mbi kërkesën e bërë në tetor nga presidenti amerikan Joe Biden që Kongresi të miratojë një paketë ndihme prej 106 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin, dhe fonde për shtimin e sigurisë në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, tha se fondet për Ukrainën, e cila po lufton agresionin rus që nga shkurti i vitit 2022, duhet të lidhen me një ndryshim transformues të politikës amerikane.  Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer tha se ai do të përpiqet të thyejë ngërçin duke u ofruar republikanëve mundësinë për të shtuar një amendament tek ligji i ndihmave për Ukrainën dhe Izraelin.

“Ishin republikanët ata që e ngritën çështjen e kufirit. Ata kanë përgjegjësinë nëse besojnë se çështja e kufirit duhet të lidhet me paketën e ndihmave për Ukrainën. Le të propozojnë një amendament që mund të marrë 60 vota”, tha Schumer.

Bllokimi i financimit vjen pasi luftimet në vijën e parë janë ndezur gjatë javëve të fundit. Që nga fillimi i luftës në shkurt 2022, Kongresi i SHBA ka miratuar më shumë se 110 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën. Shtëpia e Bardhë ka ofruar gjithashtu edhe ndihmë shtesë për Ukrainën në aspektin e sigurisë kombëtare.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share